Arbëri

Zemaj: Doza e tretë e vaksinës anti-COVID të bëhet e obligueshme

Qeveria e Kosovës në muajin tetor dhe fillimin e muajit nëntor ka qenë në një horizont të humbur sa i përket përgatitjeve për menaxhimin e rasteve të reja me COVID-19, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj.

Ai ka thënë se si deputet i Kuvendit të Kosovës ka paralajmëruar disa herë se duhet kujdes ndaj valëve të reja të koronavirusit. Sipas tij, kjo po ndodh për shkak të neglizhencës dhe mospërcjelljes së trendit të infeksionit ose praktikave paraprake nga inatet politike.

“Ka kohë që kam paralajmëruar edhe si deputet i Kuvendit të Kosovës që duhet të jemi të kujdesshëm ndaj valës së re e cila është shpërfaqur në tërë rajonin sidomos në shtete evropiane. Janë vendet e pakta të cilat nuk janë prekur. Qeveria në muajin tetor dhe fillimin e muajit nëntor duket që është në një horizont të humbur sa i përket përgatitjeve të reja. Tash kemi një qasje më produktive në këtë aspekt dhe duket që janë duke u marrë edhe përvojat dhe është duke u përcjell edhe trendi i shpërndarjes së infeksionit. Këtë do ta dëshironim edhe pse po shohim një mos harmonizim të qëndrimeve të dikasterit të Mistrisë së Shëndetësisë dhe ministrit të ri dhe pjesës tjetër të Qeverisë”, ka thënë Zemaj.

Ai ka ka thënë se duhet të vendoset që marrja e dozës së tretë të vaksinës të bëhet obligative për të gjithë, duke shtuar se arma më e fortë është vaksinimi.

“Ne duhet t’i referohemi mekanizmave dhe pjesës tjetër shkencore që ndërlidhet me marrjen e dozës së tretë, sidomos tash që kemi hyrë në vitin përfundimtar, dhe të shohim se cili është imunizimi i popullatës tonë, te moshat e vjetra, te personeli shëndetësor dhe të shohim se sa janë të rrezikuar nga virusi Delta apo faktori i ri. Nëse përcillet kjo, atëherë marrja e dozës së tretë do ta përforcojë imunizimin dhe do ta lehtësojë kalimin e valës së re te infeksionit. Do të ishte e arritur nëse kemi statistika të qarta”, është shprehur Zemaj.

Sipas tij, mungojnë statistikat sa i përket personave të vaksinuar në pjesë veriore të vendit e po ashtu edhe në pjesë tët tjera të vendit.

“Nuk dihet cili është numri i personave të vaksinuar dhe numri i personave shqiptar etnik që janë vaksinuar në pjesën veriore. Dimë vetëm statistikat dhe kohë pas kohe kanë qenë konfliktuoze njëra me tjetrën sepse duke u munduar të ketë kamuflime ka pasur paqartësi në totalin e dhënies së vaksinave. Por të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se arma më e fortë është vaksinimi”, ka deklaruar ish-ministri i Shëndetësisë.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë janë vaksinuar 1,978 persona. Që nga fillimi i procesit të vaksinimit, me dozën e dytë janë vaksinuar 776,635 persona ndërkohë që numri i dozave të administruara është 1,653,823./EO