Arbëri

Ambasada e Gjermanisë ndryshon procedurën për terminë, qytetarët të pakënaqur

Nga 1 dhjetori, të interesuarit për vizë pune në Ambasadën e Gjermanisë do ta kenë për më shumë se dy javë të hapur sistemin për terminë, porse përzgjedhja e tyre do të bëhet nëpërmjet shortit. Ky ndryshim i procedurave nuk u ka pëlqyer qytetarëve, të cilët thonë se pajisja me vizë pune nuk duhet të jetë lotari. Për secilin muaj ambasada do të lëshojë rreth 450 viza pune

Procedura për pajisje me vizë pune gjermane është ndryshuar nga kjo e hënë. Qytetarët e Kosovës që duan të marrin vizë gjermane, nga 1 dhjetori e deri më 17 dhjetor do ta kenë sistemin e hapur për aplikim dhe se përzgjedhja e tyre do të bëhet me short.

Ndryshe nga ajo se si kanë aplikuar deri tash, ku sistemi është hapur një herë në muaj dhe pak minuta, tashmë mundësinë për aplikim e ka kushdo.

Ky ndryshim i procedurave nga Ambasada e Gjermanisë sërish nuk është i pranueshëm për qytetarët. Sipas Afrim Mujit, aplikimi nëpërmjet tërheqjes së shortit e bën më të vështirë pajisjen me vizë.

“Para këtij ndryshimi ishte shumë vështirë të caktosh një termin, por kur e ke caktuar terminin, bile e ke pasur të sigurt se do të të thërrasin për dorëzimin e kontratës. Tash e bën terminin, por nuk e ke të sigurt nëse do të të bjerë ty shorti që ta tërheqin emrin tënd”, ka thënë Muji.

Procedura e re u ka nxjerrë telashe edhe punëdhënësve gjermanë.

“Për ne punëdhënësit në Gjermani është shumë vështirë. Ne duhet të dimë përafërsisht kur mundet me qenë caktimi i terminit, kur vjen punëtori ashtu edhe e marrim punën. Ne nuk mund t’i japim kontrata punëtorit - mos u bëftë këtë muaj bëhet në tjetrin”, thotë një nga punëdhënësit shqiptarë në Gjermani.

Pavarësisht se sa aplikojnë, brenda një muaji me vizë pune mund të pajisen rreth 450 persona. Në njoftimin e Ambasadës lëshuar të hënën thuhet se procedura e shortit do të mbikëqyret në Ministrinë e Jashtme Federale në Berlin.

Megjithatë, ka disa nga qytetarët që thonë se edhe ky ndryshim i procedurave ka anë pozitive pasi që thonë se agjencitë nuk do të kenë mundësi të përfitojnë nga ta shuma të mëdha parash për një termin.

“Kush e ka fat përzgjidhet në termin, kryesore nuk jep më para ka 2 apo 3 mijë euro për ta caktuar terminin”, ka thënë Niki Krasniqi.

Nga Ambasada Gjermane kanë shpjeguar për KOHËN se ky ndryshim është bërë për shkak të kërkesës së lartë për caktim të terminëve, që i tejkalon dukshëm terminët që janë në dispozicion. Bëhet e ditur se regjistrimi për short do të hapet në çdo fillim-muaji dhe do të zgjasë për dy deri në tri javë dhe të përzgjedhurit e atij muaji do të marrin termin për muajin që pason.

“Për këtë në fillim të çdo muaji për një periudhë prej 2-3 javë gjatë gjithë kohës do të jetë e hapur një listë e re e regjistrimeve për kërkesa për terminë. Periudha e hapjes do të publikohet çdo muaj. Pas mbylljes së listës nga të gjitha regjistrimet, nga gjeneratori i rastësishëm i drejtuar në mënyrë kompjuterike në një procedurë të shortit do të përzgjidhen ata, të cilët e marrin një termin për aplikim në muajin që pason. Të gjitha regjistrimet e bëra në muajin përkatës marrin pjesë në procedurën e shortit, pavarësisht se kur janë bërë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Ata kanë theksuar se me sistemin e ri ndalohet regjistrimi i shumëfishtë dhe po ashtu kalimi i terminit te një person tjetër.

“Për pjesëmarrje në procedurën e shortit për termin në muajin pasues, është i nevojshëm një regjistrim i ri. Në secilin muaj do të jepen proporcionalisht aq terminë, ashtu që në fund të vitit të arrihet kontingjenti i përcaktuar me ligj prej maksimum 5.500 lëshimesh eventuale të vizave në këtë kategori”, thuhet tutje në përgjigje.

Nga Ambasada e Gjermanisë kanë sqaruar se për kategoritë e tjera të vizave nuk janë planifikuar ndryshime në dhënien e terminëve.