1 perditesime
21:00

Numërohen votat me kusht

Ka përfunduar numërimi i votave me kusht dhe votave me nevoja të veçanta nga rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave.

Në Prishtinë, Përparim Ramaj si kandidat i LDK-së mori 1072 vota, teksa Arben Vitia i LVV-së mori 1163.

Në dy komuna ku diferencën më të thellë e bënë votat me postë dy ditë më parë, numërimi edhe i të tjerave sot e ka thelluar edhe më.

Në Dragash Bexhet Xheladini i LDK-së ka marrë 121 vota, ndërsa kundërkandidati i PDK-së 91.

Në Junik diferenca mes dy kandidatëve është me një votë. Ruzhdi Shehu i LDK-së ka marrë 23 ndërsa Agron Kuçi i AAK-së 22.

Në Gjakovë, Ardian Gjini i AAK-së mori 479, kurse Mimoza Kusari-Lila e LVV-së 403.

Mytaher Haskuka i LVV-së mori 670 vota si kandidat për Prizrenin, ndërsa Shaqir Totaj 619.

Për të dhënat në komunat e tjera, shikoni më poshtë:

16:33

Nis numërimi i 9313 votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja dhe rrethana të veçanta, të cilat u takojnë rundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të 21 Komunave, që u mbajt të dielën, më 14 nëntor.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë se gjatë ditës së zgjedhjeve janë hedhur 10,303 vota të cilat janë vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

“Pas procesit të verifikimit të tyre, janë konfirmuar 9,313 vota me kusht, ndërsa janë refuzuar 990. Arsyet e refuzimit mund të kategorizohen në 3 grupe: Votuesi me kusht ka votuar më shumë se një herë; votuesi me kusht nuk është në listën e votuesve; dhe votuesi me kusht nuk është nga komuna në të cilën ka votuar. Pra, në vazhdim do të numërohen 9,313 vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, rezultati i të cilave i bashkohet rezultatit të numërimit të fletëvotimeve në vendvotime dhe votave nga jashtë Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, KQZ-ja është duke u angazhuar që të përmbyllë procesin e zgjedhjeve lokale, i cili ka filluar në mes të muajit qershor, pasi ishte shpallur data e zgjedhjeve lokale.

Deri më tani, KQZ ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për 38 Kuvendet Komunale dhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për kryetarë të 17 komunave, që janë mbajtur më 17 tetor.

Në proces është shpallja dhe certifikimi i rezultatit përfundimtar të rundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 21 komunave që u mbajtën më 14 nëntor.

“Sa i përket shpalljes së rezultateve përfundimtare të një procesi zgjedhor, kjo bëhet nga KQZ-ja pasi të bëhet numërimi i votave nga jashtë Kosovës; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave me kusht; si dhe pasi të marrim konfirmimet nga PZAP dhe Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje për të shqyrtuar/vendosur. Pas përmbylljes së këtyre proceseve të parapara me ligj, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të shpall rezultatet përfundimtare”, është shprehur Elezi.