Në orën 19:00 ka përfunduar votimi për balotazh në 21 komuna të vendit. Projeksioni i KOHËS ka nxjerrë Vetëvendosjen fituese në tri nga katër komunat më të mëdha të vendit. Reagimet, festat e gjithçka tjetër që ndodh pas orës 19:00 mund të përcillni më poshtë.
22:29 - Festë me fishekzjarrë në Prishtinë, LDK-ja del në shesh
Lidhja Demokratike e Kosovës është duke festuar në sheshet e Prishtinës pas fitores së Përparim Ramës.
Festë me fishekzjarrë po bëjnë simpatizuesit e kësaj partie.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se Rama është kryetar i të gjithëve.
21:49 - Ahmeti uron Ramën, i ofron bashkëpunim
Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka uruar Përparim Ramën e Lidhjes Demokratike të Kosovës pas fitores në zgjedhjet lokale. Ai i ka ofruar bashkëpunim për informata e sqarime.
është e qartë - kryetari i ri i Prishtinës do të jetë Përparim Rama. Përparimit i uroj suksese në mandatin e radhës dhe natyrisht se do të përgjigjem sa herë kanë nevojë për informata e sqarime. Po ashtu i uroj përmbushjen e premtimeve. Në natë të tillë është lehtë me e godit humbësin e zgjedhjeve. Une sonte e përgëzoj Arbenin për punën, fushatën e rezultatin. Duke e njohur, e di se nuk do të jetë fundi i angazhimit tij publik”, ka thënë ai në një postim në Facebook.
Ahmeti po ashtu ka thënë se në javët në vijim do të ketë organizim të pranim-dorëzimit të detyrës.
21:30- PDK-ja shpall fitoren në Prizren, Krasniqi: Populli ia ktheu shpinën Kurtit
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka uruar Shaqir Totajn për fitoren në Prizren.
Ai ka falënderuar qytetarët për votimin e PDK-së.
“Unë shpall fitoren në Prizren, ne fituam këtu, fituam në Drenas, Vushtrri, Kaçanik, Dragash, pra fituam në nëntë komuna të Kosovës dhe kjo është natë e madhe për ne. Fati dhe e ardhmja e qytetarëve do të jenë në duar të sigurta. Nuk ka më një forcë politike dominuese. Populli ia ka kthyer shpinën Albin Kurtit”, ka thënë ai.
21:25- VV-ja e merr Shtimen
Naim Ismajli i PDK-së ka pranuar humbjen. Pas numërimit të 100 për qind të votave, rezultati nxori fitues Qemajl Aliun e VV-së.
“Ju falënderojmë për besimin e dhënë në zgjedhjet e raundit të parë dhe të dytë. Nga rezultatet preliminare të zgjedhjeve që u mbajtën sot, nuk na kanë nxjerrë fitues prandaj rezultatin e njohim si të tillë dhe presim rezultatet përfundimtare të cilat do t’i respektojmë. Jemi krenarë që ju kemi shërbyer për 21 vite rresht dhe juve qytetarë të Shtimes ju dëshirojmë fat”, ka shkruar Ismajli.
Aliu ka marrë 6.920 vota ndërkaq Ismajli ka marrë 6726 vota.
21:17- Vitia pranon humbjen
Arben Vitia, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, ka pranuar humbjen në Komunën e Prishtinës. Ai ia ka uruar fitoren Përparim Ramës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas procesimit të 96 për qind të vendvotimeve në uebfaqen e KQZ-së, Rama ka marrë 50.89 për qind të votave, ndërsa Vitia 49.11.
Në deklaratën e tij, Vitia ka fajësuar aktivizimin e vonshëm për humbjen.
21:19- Lutfi Haziri e pranon humbjen në Gjilan
Kandidati për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri e ka pranuar humbjen në Gjilan.
Ai ka thënë Alban Hyseni do të jetë kryetar i zgjedhur i Gjilanit.
Haziri ka thënë se kanë pasur ditë të mira dhe kanë punuar mirë për Gjilanin.
“LDK-ja do të vazhdojë të ndërtojë e të punojë për Gjilanin”, ka thënë ai.
21:06 - AAK-ja fiton në Klinë
Zenun Elezaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka shënuar fitore në Komunën e Klinës.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Elezaj ka marrë 7.866 vota apo 55.11 për qind, derisa Esat Raci i PDK-së ka 6.406 vota apo 44.89 për qind.
21:00 - Gashi fiton në Obiliq
Xhafer Gashi nga Lëvizja për Bashkim ka shënuar fitore në Komunën e Obiliqit.
Të gjitha votat e rregullta janë numëruar atje, ku ai ka marrë 6.414 vota apo 61.41 për qind, derisa Halil Thaçi i Lëvizjes Vetëvendosjes ka marrë 4.030 vota apo 38.59 për qind.
20:45 - Haradinaj: AAK-ja është fituesja e zgjedhjeve
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se kjo parti është fituesja e balotazhit të 14 nëntorit.
Në një konferencë për media, Haradinaj deklaroi se 5 komuna i kanë të fituara, ndërsa presin rezultatin në Junik dhe Istog.
“AAK-ja është parti fituese, i kemi fituar 5 komuna bindshëm. Në Junik është e ngushtë diferencë. Një rezultat më ndryshe është në Istog, por edhe atje po e presim rezultatin final”, deklaroi ai.
20:30 - Shpërthen festa e LDK-së në Prishtinë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur festën në kryeqytet, pas numërimit të afro 60 mijë votave të numëruara.
Simpatizantë të kësaj partie janë parë me flamuj e brohoritje teksa festojnë, derisa sipas KQZ-së, Përparim Rama deri më tani ka 30.211 vota, kundërdrejt Arben Vitisë të VV-së, që deri më tani ka 28.905 vota.
20:10 - VV-ja shpall fitoren në Podujevë
Lëvizja Vetëvendosje e ka shpallur fitoren në Komunën e Podujevës. Dhjetëra qytetarë e simpatizantë kanë dalë në sheshin e këtij qyteti, duke festuar me fishekzjarrë.
Në bazë të rreth 17 mijë votave të numëruara, Shpejtim Bulliqi i VV-së ka 9.344 vota apo 52.61 vota, derisa kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni ka 8.417 vota apo 47.39 për qind.
19:43 -LDK-ja shpall fitoren në Istog
Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur festën në Komunën e Istogut, duke pretenduar se kandidati i saj, Ilir Ferati, ka fituar balotazhin ndaj Bekë Berishës të AAK-së.
Festa po zhvillohet në qendër të qytetit, me daulle e flamuj.
Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur numërimin e votave.
19:35 - KQZ: Deri në ora 19:00 votuan 37.88 për qind e qytetarëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në ora 19:00, në nivel vendi kanë dalë 475.751 persona në zgjedhje, apo në përqindje 37.88.
Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se statistikat e tjera do të publikohen në faqen zyrtare.
“Ju njoftojmë se procesi i votimit ka përfunduar dhe se janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit. Sipas të dhënave preliminare që kemi pranuar nga më shumë se 99% të vendvotimeve numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 19:00 është 475 mijë e 751 votues apo 37.88% nga 1 milion e 260 mijë e 571 votues”, ka thënë Radoniqi.
19:31- PDK-ja në Prizren: Nata s’ka përfunduar ende, s’është koha për të festuar
Kujtim Shala në Prizren ka thënë se në bazë të informatave që kanë marrë nga terreni, Prizreni ka vendosur për ndryshim.
Ai ka thënë se është e rëndësishme dalja në votime.
“Shpreh mirënjohjen e thellë si kryetar i shtabit për të gjithë ata që kanë votuar. Nuk është koha për të festuar sepse nata nuk ka përfunduar ende. Rezultatet e marra nga vota e qytetarëve duhet të ruhen. Ditë të mira po vijnë për Prizrenin dhe qytetarët e tij”, ka thënë ai.
19:15 - PDK-ja nis festën në Drenas
Partia Demokratike e Kosovës ka nisur festën në Komunën e Drenasit, duke pretenduar se kandidati Ramiz Lladrovci ka mposhtur Driton Ajazin nga Demokratët për Drenasin.
Anëtarë dhe simpatizantë janë mbledhur në selinë PDK-së.
19:10- Gjini: Ishte e pritshme fitorja në Gjakovë
Kandidati për kryetar të komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se rezultati është i pritshëm.
Ai ka kërkuar që të gjithë të festojnë me kujdes.
“Po i presim rezultatet dhe besoj që në rregull është gjithçka. Rezultati është i pastër, por po i presim rezultatet nga KQZ-ja”, ka thënë ai.
Çka thotë Gjini pas rezultateve të projeksionit të Kohës
19:09 - LDK-ja thotë se po prin në Gjilan
Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se sipas rezultateve që posedojnë, janë duke prirë në balotazh në Gjilan kundër kandidatit të VV-së, Alban Hysenit.
Zyrtari i kësaj partie, Arbër Ismajli, ka deklaruar se nuk kanë vërejtur ndonjë parregullsi, derisa kanë falënderuar qytetarët për kulturën e treguar.
“Në matjet e para që i kemi në terren, LDK-ja prin, kandidati jonë prin”, tha ai.
Ai ka deklaruar se do të takohen më vonë “në festën e madhe”.
19:00 Vetëvendosje feston në Prishtinë
Simpatizantë të Vetëvendosjes kanë filluar festën në qendrën e kësaj partie në Prishtinë, pas publikimit të projeksioneve që e nxjerrin fitues Arben Vitinë në këtë komunë.