Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se ka nisur me rregull procesi i zgjedhjeve të rundit të dytë për kryetar të 21 komunave të Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se numri i qendrave të votimit në këto 21 komuna është 575, me gjithsej 1,638 vendvotime.
“Tashmë janë hapur të gjitha vendvotimet në 21 komuna ku do të mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave. Numri i qendrave të votimit është 575 me gjithsej 1638 vendvotime. Sipas listës përfundimtare, numri i qytetarëve me të drejtë vote është mbi 1 milion e 260 mijë e 571”, ka thënë Elezi.
Ai ka ftuar qytetarët me të drejtë vote që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.