Arbëri

Sfidat e personave me nevoja të veçanta për pjesëmarrjen në zgjedhje

Oborrin e ndërtesës e lëvizjet poshtë saj mund t’i vështrojë vetëm nga dritaret e katit ku jeton.

Në mungesë të ashensorit, Faik Berisha nuk mund t’i zbresë 45 shkallët me karrocë, andaj deri në korridorin e banesës gjithnjë përcillet nga bashkëshortja.

Pavarësisht kësaj, ai është pjesëmarrës i rregullt në votime përmes ekipeve mobile.

Më sfiduese nga të gjitha janë rastet shëndetësore kur i duhet ndihmë mjekësore.

Infrastrukturën jo të përshtatshme për kategorinë e personave me nevoja të veçanta e përmend edhe Kaltërina Misini nga Handikos.

Madje, thekson të ketë pasur raste që kësaj kategorie i është pamundësuar pjesëmarrja në votim.

Me gjithë vështirësitë për t’iu drejtuar qendrave të votimit, Misini thekson gatishmërinë e personave me nevoja të veçanta për të qenë pjesëmarrës në zgjedhje.

Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, numri i qytetarëve të regjistruar si votues me nevoja të veçanta është 2443, prej të cilëve 1544 janë votues të cilët nuk mund të dalin jashtë shtëpisë për shkak të gjendjes fizike shëndetësore.