Arbëri

Ambasadorja amerikane në Shqipëri: Nuk angazhohemi me askënd që është shpallur non grata

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërpresin marrëdhëniet me Partinë Demokratike, nëse kryesimin e saj e merr ish-kryeministri Sali Berisha, i cili është shpallur person non grata nga Sekretari i Shtetit.

Në një intervistë për Top Channel, ambasadorja amerikane tha se nuk mund ta imagjinojnë një skenar ku ajo apo ndonjë nga pasardhësit e saj të pretendojnë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojnë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor.

“Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur”, deklaroi ajo.

Në lidhje me pyetjen nëse SHBA e mbështet kryetarin e PD-së Lulzim Basha, ambasadorja amerikane tha se njohim atë që është zgjedhur rregullisht si kryetar i asaj partie, ndërsa do vazhdojmë takimet me të në cilësinë e kryetarit të Partisë.

Marrëdhëniet e afërta mes ish-kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike pësuan një thyerje të thellë kur sekretari i Shtetit, Antony Blinken, e shpalli ish-kryeministrin Berisha dhe familjen e tij si të papërshtatshëm për të shkuar në SHBA, ndërsa kreu i PD-së Basha e përjashtoi atë nga grupi parlamentar i opozitës./ TCH