Arbëri

Fuqia e partive politike në katër kuvende komunale pas zgjedhjeve të tetorit

Asnjëra nga partitë politike në tri prej katër komunave të rajonit të Prishtinës nuk e ka fituar shumicën për kuvend komunal. Përjashtim bën vetëm Komuna e Graçanicës, ku LS-ja përveç që i ka fituar zgjedhjet për kryetar, ajo e ka shumicën edhe në Kuvendin Komunal

Publikimi i rezultateve të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit ka vënë në pah edhe fuqinë (sa i përket numrave) që do të kenë partitë politike në kuvendet komunale. Bazuar në publikimin e rezultateve nga KQZ-ja, shihet se në tri nga katër komuna të rajonit të Prishtinës (Podujevë, Fushë-Kosovë e Obiliq) asnjëra nga partitë politike nuk e përbën shumicën në Kuvend. Përjashtim nga këto bën vetëm Komuna e Graçanicës, ku Lista Serbe pos që ka fituar zgjedhjet për kryetar që në raundin e parë, ajo ka edhe shumicën në Kuvend, 18 nga 19 ulëset gjithsej. Në këto zgjedhje lokale shihet se gati në secilën komunë ka ndryshim të numrit të këshilltarëve komunalë krahasuar me zgjedhjet e mëhershme komunale.    

Në Podujevë LDK-në e LVV-në i ndan 1 votë

Bazuar në rezultatet e KQZ-së, në Kuvendin Komunal të Podujevës shumicën e ulëseve do t’i kenë LDK e LVV. Megjithatë, asnjëra nuk e ka shumicën e thjeshtë prej 18 votave nga 35 sa i ka ky kuvend. LDK është renditur partia e parë me 13 mijë e 612 vota ose 38.49%  dhe do t’i ketë 14 këshilltarë komunalë, ose një më shumë se LVV që në zgjedhjet e tetorit i ka marrë 13 mijë e 243 vota ose 37.45% (13 ulëse). Krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2017, në zgjedhjet e sivjetme LDK e ka një këshilltar më pak, kurse LVV është rritur për 4 këshilltarë më shumë se në vitin 2017. E treta është renditur PDK që ka marrë 3 mijë e 960 vota ose 11.20% dhe do të ketë 4 ulëse ose 3 më pak se në zgjedhjet e 2017-s. Pas saj është AAK me 2 mijë e 678 vota ose 7.57%  dhe do të ketë 3 këshilltarë komunalë, aq sa kishte edhe në 2017. Dhe në fund është OBKD që ka marrë 499 vota ose 1.41% dhe do të ketë 1 ulëse, aq sa kishte më 2017. Të papërfaqësuara në Kuvend mbesin PD, Nisma, Unioni i Blakçorëve, Iniciativa Qytetare për Ndryshim dhe kandidati i pavarur Patriot Rudari. 

Në Fushë-Kosovë LDK “zvogëlohet” për 2 këshilltarë

Shumicë në Kuvendin Komunal nuk ka fituar asnjëra nga subjektet politike edhe në Fushë-Kosovë. Sikur edhe në zgjedhjet e mëhershme komunale, LDK ka fituar më së shumti vota, 5 mijë e 579 ose 36.80% dhe do të ketë 10 këshilltarë komunalë, që i bie 2 më pak se në zgjedhjet e vitit 2017. E dyta është renditur LVV me 3 mijë e 460 vota ose 22.82% dhe do të ketë 6 ulëse ose 2 më shumë se në 2017. E treta është PDK me 2 mijë e 590 vota ose 17.08% dhe do të ketë 4 ulëse, aq sa kishte pasur edhe nga zgjedhjet e para katër vjetëve. 2 ulëse i ka fituar Iniciativa për Fushë-Kosovë që ka marrë 890 vota ose 5.87%. Kurse nga 1 ulëse e kanë fituar Lista Ndryshe (636 vota ose 4.19%), PD (522 vota ose 3.44%), Nisma Socialdemokrate (429 ose 2.83%), AAK (417 ose 2.75%) dhe Lista Serbe (368 ose 2.43%). Kurse nuk kanë fituar asnjë ulëse në Kuvend AKR dhe kandidati i pavarur Agim Gjeli. 

Në Obiliq AAK i ka 5 këshilltarë më pak se më 2017

Ndryshim të fuqisë politike do të ketë edhe në Kuvendin Komunal të Obiliqit. AAK-ja e cila kishte pasur më së shumti ulëse nga zgjedhjet e vitit 2017 (6 gjithsej), ajo tash ka fituar vetëm 1 ulëse (536 vota ose 4.71%) dhe renditet e gjashta. Më së shumti këshilltarë ka fituar Iniciativa Qytetare për Obiliq (4 mijë e 679 vota ose 41.10%), e cila udhëhiqet nga Xhafer Gashi, i cili deri sivjet ishte pjesë e AAK-së. Në zgjedhjet e 17 tetorit kjo iniciativë do t’i ketë 9 ulëse në Kuvendin Komunal. E dyta renditet LVV me 2 mijë e 198 vota ose 19.31% dhe do të ketë 4 këshilltarë komunalë, ose 2 më shumë se më 2017. Nga 2 këshilltarë do t’i kenë LDK (1 mijë e 160 vota ose 10.19%), ose 3 më pak se në 2017, LS (1 mijë e 123 ose 9.86%), 1 më shumë se deri tash, pastaj LB (1 mijë e 101 ose 9.67%) dhe PDK (409 vota ose 3.59%), ose 2 më pak se në zgjedhjet e 2017-s. Ulëse në Kuvend nuk ka fituar AKR. 

Graçanicën e “pushton” Lista Serbe

Lista Serbe në zgjedhjet e 17 tetorit e ka fituar shumicën edhe në Kuvend (7 mijë e 093 vota ose 93.38%). Nga 19 këshilltarë komunalë sa i ka ky kuvend, kjo parti do të ketë 18, kurse 1 ulëse do të ketë Aleanca Shqiptare, e cila ka marrë 342 vota ose 4.50%. Kurse iniciativa tjetër Shqiptarët e Bashkuar nuk ka arritur të fitojë ulëse në Kuvend. Ndryshe nga tash, nga zgjedhjet e vitit 2017, LS kishte pasur 12 ulëse, 3 SLS, 2 PDS dhe nga një Iniciativa Qytetare Shqiptare dhe Novi Poçetak.