Arbëri

Rezultatet për Kuvende Komunale: LDK-ja e PDK-ja lënë pas VV-në me asamblistë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare për këshilltarë komunalë. Sipas saj, LDK-ja dhe PDK-ja kanë më së shumti asamblistë, nga 206 secila në tërë vendin. Pas tyre është Vetëvendosje me 193 asamblistë. Ndërsa Lista Serbe ka siguruar 147 këshilltarë.

LDK-ja dhe PDK-ja kanë fituar më së shumti ulëse në kuvendet komunale, nga 206 në tërë vendin.

Por, ato dallojnë sa u përket votave për këshilltarë. LDK-ja ka marrë mbi 170 mijë vota, ndërsa PDK-ja afro 162 mijë vota.

E pas tyre ka mbetur Lëvizja Vetëvendosje, që ka siguruar 193 ulëse, por që me vota është më lartë sesa PDK-ja, për mbi 6 mijë e 400.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, AAK-ja do të ketë 120 asamblistë, Nisma vetëm 21 asamblistë, AKR-ja 8, Lista e pavarur e Bekim Jasharit 10 ulëse dhe Lista Serbe do të ketë 147 këshilltarë komunalë.

Dy partitë që janë në balotazh për të parin e kryeqytetit kanë 3 ulëse dallim nga njëra-tjetra. LVV-ja ka 17 ulëse, ndërsa LDK-ja 14. Pas tyre janë PDK-ja me 9 ulëse dhe AAK-ja me 6.

Gara e ngushtë në Prizren është reflektuar edhe në Kuvend Komunal. LVV ka siguruar 12 ulëse, ndërsa PDK-ja 11. 7 ulëse i ka LDK-ja dhe 3 AAK-ja.

Dy partitë në balotazh ndajnë edhe numrin më të madh të ulëseve në Kuvendin e Gjakovës. AAK-ja ka siguruar 11 ulëse dhe LVV-ja 10. Ndërsa 5 ulëse ka siguruar PDK-ja, 4 LDK-ja dhe 4 PSHDK-ja.

Në Gjilan, edhe pse në garën për kryetar, Vetëvendosje ishte e para në raundin e parë, me ulëse në Kuvendin Komunal është e dyta. LDK-ja ka fituar 14 ulëse, LVV-ja 10 dhe 5 ulëse ka fituar PDK-ja.

E Peja, që ka zgjedhur në raundin e parë edhe kryetarin që vjen nga LDK-ja, në Kuvend Komunal do të ketë pjesën më të madhe të këshilltarëve nga kjo parti. LDK-ja ka siguruar 15 ulëse, AAK-ja 7 ulëse, LVV-ja 6 ulëse dhe PDK-ja 5.

Në Ferizaj numrin më të madh të ulëseve e ka siguruar PDK-ja, e cila edhe udhëheq këtë komunë. Pas saj janë Vetëvendosje me 9 ulëse, LDK-ja me 4 dhe AAK-ja me 4 ulëse.

Edhe në Kuvendin Komunal të Mitrovicës numrin më të madh të ulëseve e ka siguruar PDK-ja me 14, e pasur nga Vetëvendosje me 11 dhe LDK-ja me 6 ulëse.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar për përfundimin e ankesave për Komunën e Ferizajt pas të cilave konfirmohet fitorja e Agim Aliut.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunave do të mbahet më 14 nëntor, ndërsa fushata do të fillojë nga 8 deri më 12 nëntor.