Arbëri

Në rinumërim 291 vendvotime, prin Prishtina

40 vendvotime në Prishtinë janë në mesin e rreth 300 të tillave, të cilat do të rinumërohen. Kjo për shkak të mospërputhjes së votave mes subjekteve politike dhe kandidatëve për kuvende komunale. Pas rinumërimit të tyre, nëse nuk do të ketë sërish kërkesa të tilla, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, do të hapet rruga për shpallen e rezultateve përfundimtare për kuvende komunale.

Prishtina i prin listës së komunave, vendvotimet e të cilave do të rinumërohen për shkak të mospërputhjes së votave për kuvendin komunal.

Me 40 vendvotime gjithsej, kryeqyteti është në mesin e 32 komunave, në të cilat të premten Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të ketë rinumërim.

Pas Prishtinës, renditet Prizreni, ku do të numërohen 25 vendvotime, Ferizaj 23, Peja 20, Podujeva 19, Gjakova 18, Mitrovica e Jugut 17 vendvotime, pastaj në Gjilan 13, Lipjan 12, Vushtrri 11, Skenderaj 10, Gllogovc 10, Malishevë 8, Rahovec 7, aq sa do të rinumërohen edhe në Fushë-Kosovë, Suharekë e Viti. Në Kaçanik do të rinumërohen 6, në Klinë 5, Shtime 4 vendvotime, aq sa edhe në Istog, në Kamenicë do rinumërohen 3 vendvotime, derisa në Obiliq, Shtërpcë, Zveçan, Graçanicë e Dragash 2 vendvotime, kurse në Deçan, Leposaviq e Mitrovicë të Veriut, Novobërdë, Mamushë nga një vendvotim.

“Në disa raste subjektet politike kanë vota, por jo edhe kandidatët, apo edhe anasjelltas, kur kandidatët kanë vota dhe subjektet politike nuk kanë vota”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një deklarim para mediave pas fillimit të procesit të rinumërimit të këtyre vendvotimeve.

Ai më tutje ka bërë të ditur se duhen disa ditë për të përfunduar rinumërimi i tyre. “Rinumërimi i tyre mund të marrë kohë disa ditë dhe pas përfundimit të tij, nëse nuk do të ketë rinumërim tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mund të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për kuvende komunale”, ka thënë Elezi.

Para vendimit për rinumërimin e 291 vendvotimeve, në mbledhjen e mbajtur të premten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, në përjashtim të Komunës së Shtimes, Ferizajt, Podujevës e Kllokotit për shkak të procesit të ankesave, që nuk ka përfunduar ende.