2 perditesime
15:41

Dëshmitarja thotë se në dokumentet e gjuhës serbe ka pasur deklarata dëshmitarësh

Në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj, dëshmitarja Zenka Pumper, hetuesja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka konfirmuar se në dokumentet e gjuhës serbe ka pasur deklarata dëshmitarësh apo deklarata dëshmitarësh të mundshëm.

Këtë deklaratë, ajo e ka dhënë derisa po pyetej nga prokurorja e ZPS-së, Valeria Bolicci, lidhur me dokumentet e sekuestruara në zyrat e OVL-UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitarja Pumper, ka deklaruar se edhe dokumentet në gjuhën serbe përfshinin emrat e individëve dhe se ka kontrolluar nëse këta individë bëjnë pjesën në dëshmitarët faktik ose të mundshëm të Task Forcës Speciale Hetimore (TSFH).

E pyetur nga prokurorja nëse kur ka parë se kanë bërë pjesë në këta dëshmitarë, a e ka treguar në tabelën që i është bashkëlidhur deklaratës së saj, si “po”, dëshmitarja e konfirmoi këtë.

Ajo ka thënë se ka parë që përmenden kërkesat e TFSH-së në dokumentet në gjuhën serbe dhe se e ka shënuar këtë informacion në tabelën në shtojcën 1.

Tutje, prokurorja Bolicci e pyeti dëshmitaren se a ka vënë re nëse dokumentet serbe përfshijnë deklarata që kanë dhënë dëshmitarët apo dëshmitarët e mundshëm.

Për këtë, dëshmitarja deklaroi se ka deklarata dëshmitarësh apo dëshmitarësh të mundshëm.

Dëshmitarja Pumper deklaroi se ka verifikuar se në rastin e këtyre deklaratave nëse individi që ka dhënë deklaratën ka qenë faktikisht dëshmitar ose dëshmitar i mundshëm.

Po ashtu, konfirmoi se kur rezultati ishte pozitiv e ka bërë të ditur këtë informacion me fjalën “po” në shtyllën përkatëse të shtojcës së saj me emrat e dëshmitarëve të mundshëm.

Tutje, dëshmitares i është treguar një dokument tjetër, për të cilin tha se ky është dokumenti që është përpiluar kur i është dorëzuar paketa 4, ZPS-së.

Ndërkaq, ka konfirmuar se marrësi i dokumentit është autori i notës zyrtare që iu tregua më parë.

“Çfarë materialesh bëhen të ditura aty”, ka pyetur prokurorja Bolicci, e dëshmitarja tha se thuhet “dokumentacion nga OVL-UÇK”

Pumper deklaroi se ka shqyrtuar dokumentet që ZPS i ka marrë nga kjo gazetë më 9 shtator e që i referohen si paketa 4.

Prokurorja e ka pyetur nëse mund të thotë nëse këto dokumente kishin fletëshoqëruese.

“Më kujtohet se është e njëjta si në paketën 1, pra që ishte në pjesën e sipërme, është pikërisht ky dokumenti i dorëzimit që ishte sipër dokumenteve të tjera”, ka thënë ajo.

Sipas saj, paketa 4 është shumë e ngjashme me paketën 1, siç e dëshmoi në deklaratën e datës 8 maj, në shtojcën 1 të dokumenteve të paketës 4 ka vetëm disa, pak dokumente që janë të ndryshme nga paketa 1./BetimipërDrejtësi/

11:18

Hetuesja e ZPS-së: Kam hetuar pjesë të konsiderueshme të punëve në rastin Gucati-Haradinaj

Saranda Ramaj

Dëshmitarja dhe hetuesja e ZPS-së, Zenka Pumper, ka deklaruar se ka kryer hetime dhe punë të konsiderueshme në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, duke përmendur pakot e sekuestruara nga Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së.

Pumper tha para trupit gjykues se ka bërë përpunimin e një pjesë të provave, derisa ka raportuar kontrollin e kryer dhe rishikuar një pjese të konsiderueshme të materialit.

“Në deklaratat e mia unë i jam referuar paketave të ndryshme të informacionit që janë sekuestruar nga OVL-UÇK dhe paketa 1 është e sekuestruar më 7 shtator, në datën 8 paketa 4 na u dha neve nga mediat. Nga kjo u pasua sekuestrimi”, ka thënë ajo.

10:31

Nis seanca ndaj Haradinajt dhe Gucatit

Ka nisur seanca gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati. Sot pritet të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të parë, derisa gjykimi në këtë rast ka nisur më 7 tetor.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen për vepra penale pengim të personave zyrtare në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve dhe hakmarrje e shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ditë më parë, prokurori i Specializuar i Gjykatës Speciale, Jack Smith, ka thënë se ekziston një grup i vogël por i fuqishëm i njerëzve në Kosovë, që nuk duan që kjo Gjykatë të ekzistojë.

Përmes një komunikate për media, Smith ka thënë se ky grup njerëzish do të bëjnë çdo gjë për ta dëmtuar gjykatën.

“Ekziston një grup i vogël por i fuqishëm njerëzish në Kosovë që nuk duan që kjo Gjykatë të ekzistojë dhe që do të bëjnë çdo gjë për ta dëmtuar atë në një përpjekje të kotë për të shpëtuar një përshkrim të rremë se asnjë ushtar i UÇK-së nuk kreu krime gjatë luftës”, ka thënë Smith.

Smith ka thënë se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj i përkasin këtij grupi dhe sipas tij, ata denigrojnë këdo që bashkëpunon me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe ZPS-në duke i quajtur “spiunë”, “bashkëpunëtorë”, dhe “tradhtarë” që kanë “tradhtuar” bashkëpatriotët e tyre.