Arbëri

BE: S’ka detyrim legal që e pengon Qeverinë e Kosovës të dërgojë Njësi Speciale në veri

Ndonëse nga Qeveria e Serbisë përsërisin se dërgimi i Njësive Speciale të Kosovës në veri paraqet “shkelje të marrëveshjes së Brukselit”, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar se nuk ekziston marrëveshje nga dialogu që do të parandalonte vendosjen e Njësive Speciale të policisë nga veriu në jug. Megjithatë, ai ka shtuar se “është një praktikë e zakonshme që të ketë koordinim me bashkësinë ndërkombëtare dhe të informohet KFOR-i në mënyrë paraprake”

Pas deklaratave që shumë i panë si të njëanshme të përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, për zhvillimet e së mërkurës në veri të Kosovës, BE-ja më në fund ka konfirmuar se nuk ekziston asnjë obligim legal i Kosovës për të mos dërguar Njësi Speciale të Policisë në veri e as për të kërkuar lejen e EULEX-it.

Një ditë më herët, përfaqësuesi i lartë Borrell, përmes reagimit të tij në “Twitter”, kishte thënë se “janë të papranueshme veprimet e njëanshme unilaterale që nxisin tensione”. Kjo deklaratë kishte hasur në shumë reagime në Kosovë dhe jashtë saj, dhe ishte shumë e ndryshme nga reagimet e NATO-s dhe të disa zyrave të huaja diplomatike.

Pakënaqësi me deklaratën e Borrellit kanë shprehur edhe disa diplomatë të vendeve anëtare të BE-së, porse ata nuk duan ta kritikojnë shefin e diplomacisë së BE-së publikisht, për të mos dëmtuar unitetin e BE-së në mbështetje të dialogut.

Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, kishte kërkuar që të mbështeten të gjitha shtetet e rajonit që luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Deklaratat e Borrellit, të cilin e kishte përshëndetur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u kuptuan edhe si kritikë ndaj veprimeve të policisë, e cila pohoi se operacioni kishte të bënte vetëm me operacion kundër trafikimit. Për të qenë kjo situatë edhe më e habitshme, edhe vetë BE-ja në Raportin e Progresit nga viti i kaluar në disa vende e kishte vlerësuar “krimin e organizuar në veri si sfidë të veçantë në Kosovë”.

Për dallim nga BE-ja, NATO-ja ishte më e paanshme në prononcimin e saj dhe përmes një zyrtari konfirmoi se KFOR-i ka qenë në komunikim me të gjitha institucionet relevante të Kosovës, duke e quajtur këtë si “operacion të policisë në tërë territorin e Kosovës për të vendosur sundimin e ligjit”.

Deklaratat e shpeshta të përfaqësuesit të lartë të Politikës së Jashtme dhe Siguri, Borrell, që shihen si kritikë ndaj veprimeve të Kosovës, janë edhe më të ndjeshme pasi ai vjen nga një vend i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, sikur edhe i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Laçak. Të dy këta ishin ministra të Jashtëm të vendeve të tyre kur ato aktivisht kundërshtonin pavarësinë e Kosovës. Borrelli në fillim të mandatit të tij kishte shprehur mirëkuptim edhe për idetë e shkëmbimit të territoreve, ndërsa Lajçaku më vonë i kishte hedhur poshtë këto ide.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, është përgjigjur në pyetje rreth deklaratës së shefit të tij, Borrell, përfshirë edhe në ato se “a ia mohon BE-ja policisë së Kosovës veprimet në veri në luftë kundër krimit të organizuar”.

Stano ka thënë se Borrelli nuk iu referua në mënyrë specifike operacionit policor kundër trafikimeve dhe krimit të organizuar, por foli në përgjithësi për nevojën për të ruajtur qetësinë në veri të Kosovës pasi është fjala për një rajon specifik në Kosovë dhe rajon të ndjeshëm dhe këto duhet pasur parasysh.

“Le t’i vëmë gjërat në perspektivë. Kjo që përfaqësuesi i lartë ka thënë është se ka bërë ftesë të ndërpriten incidentet. Dhe, siç dihet, ka pasur incidente dhe përleshje në veri të Kosovës mes policisë dhe protestuesve. Ka thënë se duhet të ndalen menjëherë dhe ato u ndalën. Ajo që ai tha është se veprimet e njëanshme të autoriteteve që rrezikojnë situatën janë të papranueshme. Ai nuk i referohej operacionit policor si të tillë për luftë kundër trafikimeve dhe korrupsionit, ai fliste në parim për atë që ndodhte, jo për herë të parë, në veri të Kosovës”, tha Stano.

“ Çfarë ne kemi thënë dje, e kemi thënë edhe më herët, është se në këtë pjesë të Kosovës duhet të evitohen veprimet unilaterale në mënyrë që të mos nxitet konfrontimi i mëtejmë dhe rritja e tensioneve. Kjo do të ishte në kundërshtim me të gjithë atë që ne po përpiqemi të bëjmë; të sigurojmë që të gjitha çështjet të bëhen në mënyrë të koordinuar, të vihen në tryezën e dialogut. Kjo ishte esenca e asaj që përfaqësuesi i lartë tha dje dhe ka thënë në të kaluarën. Pra, të parandalohen tensionet e shkaktuara nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara”, tha ky zëdhënës i BE-së.

Stano i është përgjigjur edhe pyetjes së KOHËS, se a ka në dialog ndonjë marrëveshje që e detyron Kosovën për të mos dërguar Njësi Speciale të policisë në veri pa marrë pëlqimin e mëparshëm. Serbia tash e një kohë të gjatë ka insistuar se dërgimi i këtyre njësive “është shkelje e marrëveshjes së Brukselit”, ndërsa disa qarqe në BE e kanë forcuar një sugjerim të tillë.

KOHA ka kontaktuar burime të qeverive të Kosovës, edhe të tashmes edhe të mëparshmeve, dhe asnjë burim, asnjë person i përfshirë në dialog, nuk ka thënë se Kosova ka marrë ndonjë obligim të tillë. Madje, kanë mohuar kategorikisht se ka pasur edhe pajtim gojor ndonjëherë. Si shembull kanë përmendur dërgimin e njësive ROSU edhe në të kaluarën, kur ka pasur operacione në veri.

I vetmi obligim që ka marrë Kosova përmes shkëmbimit të letrave me NATO-n, ka qenë që të mos dërgohen njësi të FSK-së në veri pa pëlqimin e KFOR-it. Por, asnjë obligim nuk ka ekzistuar sa u përket forcave të Policisë.

Në fund, edhe BE-ja e ka konfirmuar se nuk ka obligime të tilla sa i përket policisë.

“Nuk ekziston marrëveshje nga dialogu që do të parandalonte vendosjen e Njësive Speciale të policisë nga veriu në jug”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, por ka shtuar se është një praktikë e zakonshme që të ketë koordinim me bashkësinë ndërkombëtare dhe të informohet KFOR-i në mënyrë paraprake.

“Krahas kësaj, autoritetet e Kosovës nuk e kanë njoftuar në mënyrë paraprake BE-në, përfshirë edhe EULEX-in si përgjegjës i dytë i sigurisë, për operacionin e djeshëm, edhe pse ky mision në Kosovë ndodhet pikërisht për t’i ndihmuar autoritetet në forcimin e sundimit të ligjit dhe të krijojë dhe të mbajë një ambient të qetë dhe të sigurt”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së.

Por, ai ka pranuar se as për këtë Kosova nuk ka obligim ligjor.

“Përderisa nuk ka një obligim ligjor për ta bërë këtë, ka shumë kuptim dhe është praktikë e zakonshme – sidomos kur bëhet fjalë për zona të tilla të ndjeshme dhe kohë kaq të ndjeshme (pas përshkallëzimeve të fundit rreth targave të veturave) – për të koordinuar ose së paku për të informuar në mënyrë që të ndihmohet në parandalimin e tensioneve të reja dhe nxitjen e dhunës”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Deri më tash, BE-ja nuk ka thënë asnjë fjalë kritike për sulmet ndaj policisë dhe gazetarëve në veri të Kosovës e as ndonjë kritikë për rolin e Serbisë. Këtë e ka përshëndetur presidenti i Serbisë, Vuçiq, duke thënë se “kësaj radhe nuk u kanë bërë thirrje të dyja palëve”.