Arbëri

Ministri Rakiq: “Veç edhe ajrin të na marrin, nuk durojmë më”

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, ka thënë se me aksionin e sotëm të Policisë në veri “është mbushur gota”.

Rakiq në një prononcim për media para nisjes për Rashkë ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “serbët nuk mund të durojnë e as nuk do të durojnë”.

“Nuk e di se sa njerëz do të jenë në takim me Vuçiqin, ndoshta 10-15 mijë, por ne nuk mund të durojmë më e as nuk do të durojmë. Me këtë është mbushur gota”, ka thënë ai.

Sipas tij, nga Vuçiqi do të kërkohet sqarim “nëse do të ndihmojë serbët në veri apo jo”.

“Do të kërkojmë konkretisht a mund të na ndihmojë apo jo, a dëshiron të na ndihmojë apo jo, por duhet ta kemi këtë informatë qysh sot, pasi për ne është çështje jetë a vdekje”, ka thënë ministri i kabinetit qeveritar.

Policia e Kosovës sot ka ndërmarrë aksion të gjerë në gjithë vendim për luftim të kontrabandës dhe në të gjitha qytetet ka shkuar gjithçka qetë, pos në veri ku ka pasur rezistencë të banorëve serbë.

“Ka mbetur të na marrin edhe ajrin, më nuk do të lejojmë”, shtoi Rakiq.

Gjatë aksionit, Policia ka njoftuar se janë lënduar 6 policë, ndërkohë që në gjithë vendin për kontrabandim me mallra ka arrestuar tetë persona e është në kërkim të pesë të tjerëve.