Arbëri

Osmani: LDK pas ndëshkimit në zgjedhje duhet ta çojë PDK-në në opozitë

Deputetja më e votuar në Kosovë, Vjosa Osmani e LDK-së, thotë se partia e saj doli si e treta në zgjedhjet e 11 qershorit për shkak të bashkëpunimit të shkuar me PDK-në.

Në Interaktiv të KTV-së, Osmani ka thënë se votuesit e ndëshkuan LDK-në për “shkak se kishin humbur besimin në të për koalicionin e fundit me PDK-në”.

Sipas saj, tani LDK duhet të punojë me të gjitha strukturat fuqishëm që ta çojë PDK-në në opozitë.

“Ndëshkimi kryesor erdhi pas qarjes së madhe të besimit pas koalicionit me PDK-në Kam thënë se ishte kafshatë që nuk kapërdihet. Pavarësisht punëve të mira që kemi bërë, hyrja në koalicion me kundërshtarin politik shkaktoi dëmtim për ne në këto zgjedhje. Kjo duhet të ndikojë që strukturat të marrin vendim në drejtim të asaj që PDK të mbetet në opozitë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, qytetarët kanë treguar se duan ndryshime edhe në LDK edhe në qeverisjen e përgjithshme.

“Duhet të gjejmë zgjidhje për të bindur tash votuesit e rinj dhe t’i bindim se kjo është alternativa më e mirë. Mendoj se qytetarët kanë folur qartë sa i përket asaj se dëshirojnë ndryshime”, ka shtuar ajo.