Arbëri

“Zemra e Serbisë” u brohorit sot në Gazimestan

Nën masat e sigurisë nga Policia e Kosovës, në Gazimestan është shënuar dita e Vidovdanit. Me frymë nacionaliste, qytetarët serbë këtu kanë brohoritur “Kosova është zemra e Serbisë”, kanë bartur flamuj serbë e rusë, madje dikush e ka marrë edhe portretin e Vladimir Putinit, raportoi KTV.

Në këtë kremte në Kosovë ka qëndruar drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq. Në manastirin e Graçanicës, ai deklaroi se Kosova nuk është vetëm zemra e Serbisë. “Dita e Shën Vidit është festë e shpirtit serb dhe lirisë serbe. Vidovdani na kujton për atë që si popull nuk kemi të ardhme pa kultivimin e traditës, të historisë sonë dhe anës shpirtërore, pa ruajtjen e shkrimit të shenjtë dhe pa shqetësimin shpirtëror. Kosova nuk është vetëm zemra e Serbisë, por shpirti dhe fytyra e popullit serb”, tha Gjuriq. Të pranishmëve në Gazimestan u është drejtuar peshkopi i Kishës Ortodokse Serbe, Atanasije Jevtiq. Ai kritikoi autoritetet e Serbisë, duke aluduar në presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, të mos konsiderojnë se serbët e shohin Kosovën vetëm si mit.