Arbëri

Ka nisur në Drenas ushtrimi fushor “Ujku 17”

Komuna e Drenasit, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë ne bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Kryqin e Kuq, KFOR-in, Qendrën e Mjekësisë Familjare “Dr. Hafir Shala” në Drenas, ndërmarrja e “Ferronikelit” dhe të gjitha institucionet lokale, kanë nisur sot ushtrimin fushor për ndërhyrje në raste emergjente, me titullin “Ujku 17”.

Ky është ushtrimi i parë fushor që organizohet në Komunën e Drenasit për reagimin e rasteve emergjente, ndërsa këtij aktiviteti i është bashkëngjitur edhe KFOR-i me helikopter dhe pajisje të tjera, kurse në dispozicion për raste emergjente kanë ofruar shërbime edhe FSK-ja, Policia e Kosovës, Shërbimi i Zjarrfikësve, QKMF-ja, Kryqi i Kuq dhe Komuna.

Ushtrimi fushor ka filluar sot, e mërkurë, dhe do të vazhdojë edhe të enjten e të premten, kur edhe do të jetë përmbyllja e ushtrimit.

Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, ka përshëndetur këtë trajnim dhe ka thënë se është mundësi e mirë që të gjithë akterët që mund të intervenojnë ne raste emergjente nga fatkeqësitë natyrore të jenë në gjendje gatishmërie për qytetarët e Komunës.

Improvizimi i situatës ka qenë një tërmet 6 shkallësh të Rihterit, ndërsa për raste emergjente janë bërë intervenime në ndërmarrjen e “Ferronikelit”. Afër ndërmarrjes janë vendosur shatorret, sallat operative te emergjencës, salla e mediave dhe e stafit ndihmës të shërbimit. Nga Shtabi Emergjent janë shpallur zonat e rrezikshme gjatë këtij aktiviteti dhe është simuluar kinse ka ndodhur tërmet prej gjashtë ballesh. Të gjithë akteret, që ishin përfshirë në këtë ushtrim fushor, kanë marrë pjesë në inskenimin që ka ndodhur një tërmet në ndërmarrjen e “Ferronikelit”, ku si pasojë ka ndodhur një shpërthim dhe janë lënduar disa punëtorë. Me të marrë këtë informatë, të gjitha ekipet e shpëtimit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë arritur t’i nxjerrin këta persona nga depoja, ku kishte ndodhur shpërthimi, duke i sjellë në shatorret e inskenuar afër ndërmarrjes. Po ashtu inskenim i ngjarjes është bërë edhe një aksident, ku si pasojë e lëndimeve që kanë marrë personat ne veturë, Shtabi Emergjent përmes FSK-së dhe mjekëve është detyruar të kërkojë ndihmën e KFOR-it për t’i dërguar të lënduarit me helikopterë në Spitalin e Prishtinës. Inskenimi është bërë edhe me djegien e një shtëpie ku njësiti i zjarrfikësve ka dalë në vend të ngjarjes dhe ka lokalizuar zjarrin. Këto kanë qenë disa nga aktivitetet e ushtrimeve fushore që janë zhvilluar ditën e parë të këtij aksioni, ndërsa do të vazhdojnë edhe dy ditë të tjera ushtrime të tjera.