Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se nuk ka koment për mospjesëmarrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në iniciativën e “Mini-Shengenit”.
Rama sot u takua në Maqedoni të Veriut, me kryeministrin e këtij shteti Zoran Zaev dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai gjatë takimit në Shkup tha se nismës “mini-Shengen” do t’i ndërrohet emri.
“Mini-Shengeni”, nesër emri i ri i nismës, Rama: Kush do të kapet, prapë do të merret me emrin
“Janë disa vendime, marrëveshje për t’u nënshkruar, është dhe një Forum Ekonomik me komunitetin e biznesit dhe vazhdojmë punën. Shengeni Rajonal është vetëm korniza e një formule që është formula e BE, pra korniza e katër lirive të BE, lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, e shërbimeve dhe kapitalit. Duke qenë se shumëkush është kapur pas këtij emri dhe është menduar që të ketë një emër tjetër thjesht si nisëm, unë mendoj se kush do të kapet me emrin, do të kapet prapë me emrin, nuk është se do të zgjidhet gjë nga kjo anë”, tha Rama.
Ai ndërkaq nuk ka dashur të komentojë mos pjesëmarrjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
“Nuk kam koment për këtë”, është shprehur shkurt Rama për Top Channel.
E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka konfirmuar se nesër dihet emri i nismës.
“Njerëzit duhet të dinë se në Serbi keni 4.144 kompani që kanë një biznes të caktuar me Maqedoninë e Veriut dhe 1003 apo 1004 që punojnë me Shqipërinë. Që nga nesër, ne po punojmë në tregun e përbashkët. Nesër do të mësoni emrin e vërtetë të kësaj nisme dhe si do të quhet në të ardhmen”, tha Vuçiq për gazetarët.
“Minishengeni nuk e ka miratimin tonë”, Kurti refuzon Forumin Ekonomik të Shkupit
Zyra e qeverisë së Kosovës ka konfirmuar për Euronews Albania se kryeministri Albin Kurti nuk do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Shkupit ditën e enjte.
“Qëndrimet tona për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘Minishengen’, tashmë janë të njohura. Kjo iniciativë nuk e ka miratimin tonë”, iu përgjigj zyra e kryeministrit, interesimit të Euronews Albania
Kryeministrat Edi Rama, Zoran Zaev dhe presidenti Aleksandër Vuçiç mblidhen së bashku të enjten në Shkup, në Forumin Ekonomik për bashkëpunimin rajonal në kuadër të shengenit ballkanik.
Euronews Albania ka mësuar edhe axhendën e punimeve, e cila nis në orën 10:00 me fjalën hapëse të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev për 30 minuta.
Më pas do të jetë kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç që do të mbajë fjalën për 30 minuta të tjera e po aq edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Fjalën do e marrë edhe paneli ekonomik i përbërë nga Presidentët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së 3 vendeve, ku Shqipëria do të përfaqësohet nga Ines Mucostepa, Presidente e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.
Në fund të diskutimeve do të ketë nënshkrim të marrëveshjeve për bashkëpunimin rajonal mes dy kryeministrave dhe presidentit serb.
Aktiviteti pritet të zgjasë rreth 2 orë dhe në 12:30 do të ketë edhe një deklaratë të përbashkët mes kryeministrave Rama, Zaev dhe Vuçiç.
Gazeta britanike “Financial Times” shkruan se lëvizja e lirë dhe lehtësirat e biznesit e shengenit ballkanik do të zbulohen zyrtarisht të enjten. Ato përfshijë një lehtësim gradual të kufizimeve të udhëtimit, korsi të gjelbra më të shpejta në kufij, lehtësi kalimit për mallrat dhe për lejet e punës.