Numri i të punësuarve që angazhohen si punëtorë sezonalë, kryesisht në ndërtimtari dhe në sektorin privat e që për shkak të kushteve të rënda – rrethana pune pa siguruar mbrojtje, që e pësojnë nga lëndimet e lehta, të rënda, me pasoja të invaliditetit të përjetshëm e deri te humbja e jetës vetëm sa po rritet, vlerëson KMDLNj.
Sipas KMDLNj-së, në këtë vit janë regjistruar 9 raste që kanë përfunduar me fatalitet, transmeton Koha.net.
Për këtë KMDLNj ka kontaktuar Inspektoratin e Punës përkatësisht kryeinspektorin, Basri Ibrahimi të cilit i ka shprehur shqetësimin e thellë shkaku se të punësuarve u shkelen të drejtat elementare të njeriut, që nga krijimi i kushteve të sigurta për punë, kompensimit për punën që e bëjnë, mospagesa nga punëdhënësi i taksava dhe detyrimeve tjera që shkojnë në favor të punëtorit deri te rrezikimi i skajshëm i këtyre të drejtave; e drejta për jetë.
Punëtorët që pësojnë lëndime të rënda dhe me pasoja, nuk kanë përkujdesje që iu takon me ligj ndërsa për ata që e humbin jetën në vend të punës familjet nuk përfitojnë në formë të një pensioni të përhershëm siç parashihet me ligj, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së.
Kryeinspektori i IP, Ibrahimi i tha KMDLNj – së se këto shqetësime që i ka KMDLNj për të drejtat e punëtorëve janë shqetësime edhe të institucionit që e drejton dhe Inspektorati i Punës ka shtuar inspektimet në lokacionet ku kryhen punët, ka shqiptuar dënime në raste kur nuk respektohet ligji nga punëdhënësi por se kanë kapacitete të kufizuara të jetë i pranishëm në të gjitha lokacionet ku ka nevojë. KMDLNj propozoi që nga dënimet e shqiptuara për mosrespektim të ligjit dhe moskrijimit të kushteve të sigurta për punë të krijohet një fond i veçantë vetëm për punëtorët që e pësojnë në vendin e punës dhe familjeve të tyre.
KMDLNj propozon që në rast se punëtori e humb jetën në vendin e punës me fajin e punëdhënësit dhe i cili nuk e ka zgjedhur çështjen e banimit, familjes duhet t’i ndahet një banesë në kompleksin e ndërtimit sikur edhe t’i ndahet një pension mujor i cili nuk do të ishte më i ulët se i pensionistit kontributpagues. Këto masa duhet të zbatohen menjëherë dhe jo të pritet përfundimi i një procesi gjyqësor që mund të zgjatë me vite.
Inspektoriati i Punës premton se do të rrisë numrin e inspektimeve sikurse do të bëjë një fushatë sensibilizimi për qytetarët që të jenë bashkëpunues në paraqitjen e rasteve kur atë e shohin se të punësuarit punojnë në kushte kur nuk iu është garantuar siguria.
KMDLNj propozon që të rriten masat ndëshkuese ndaj punëdhënësve të pandërgjegjshëm, deri në marrjen e lejes për punë në rast se nuk i përfillin rekomandimet e Inspektoratit të Punës. Ishte vlerësim i përbashkët i KMDLNj – së dhe Inspektoratit të Punës që të jetë një linjë telefonike ku qytetarët, pa pagesë mund t’i telefonojnë Inspektoratit të Punës dhe KMDLNj – së në rast se vërejnë raste kur punëtorëve nuk iu sigurohen kushtet e punës që iu rrezikohet shëndeti dhe jeta e tyre.
KMDLNj kërkon gjithashtu nga prokuroria dhe gjyqësori t’i përshpejtojnë rastet ku të punësuarit e pësojnë shkaku i moskujdesit të punëdhënësit.
Në të kundërtën do të rritet numri i punëtorëve të lënduar apo që e humbin jetën pa fajin e tyre. Për këtë arsye do të merremi me pasoja në vend se me parandalimin e kësaj dukurie që ka marrë përmasa shqetësuese.