Arbëri

Qeveria mbron marrëveshjen për taksën ngjitëse, thotë se ajo u nis në kohën e Haradinajt

Taksa prej pesë eurosh për regjistrimin e veturave e vendosur përmes një marrëveshjeje, ka nxitur reagime ditëve të fundit në Kosovë. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ftoi qytetarët të protestojnë kundër kësaj takse, por e njëjta marrëveshje kishte nisur qysh në kohën kur Qeverinë e drejtonte ai e ministër i Infrastrukturës ishte Pal Lekaj nga partia e tij, sipas pushtetit aktual.

Marrëveshjen për “tiketa ngjitëse” nga ministria tash, thonë se u detyruan ta nënshkruajnë më 8 qershor sepse në të kundërtën shteti do të pësonte dëme financiare. Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka sqaruar përmes një shkrimi në Facebook se marrëveshja si proces ka filluar në vitin 2018 dhe se për të patën aplikuar disa kompani, nga e cila një ishte zgjedhur fituese.

Sipas Durmishit, kur Vetëvendosje mori qeverisjen, marrëveshja qe e gatshme e vetëm duhej nënshkrimi.

“Kur ne kemi ardhur në Qeveri e kemi gjetur marrëveshjen të gatshme vetëm duhej të nënshkruhej. Tre muaj nuk e kam nënshkruar këtë marrëveshje derisa jam siguruar se është gjithçka në përputhje me ligjin dhe procedurat dhe se është interes i Kosovës. Kam autorizuar auditim të komplet procesit dhe kam marr opinionet nga zyra ligjore e Kryeministrit dhe zyra ligjore e ministrisë. Të gjitha rekomandimet kanë qenë që duhet nënshkruar marrëveshja sepse në të kundërtën do të kemi dëme financiare si shtet sepse kompania e fiton rastin në gjykata. Unë e kam nënshkruar këtë marrëveshje me 8 qershor 2021”, ka shkruar ai.

Por, Haradinaj një ditë më parë i doli kundër kësaj marrëveshje. Sipas tij, pa asnjë arsye po iu merren qytetarëve nga 5 euro për secilin automjet, teksa thirri: “Protestoni për të drejtat tuaja”.

“Qeveria e Kosovës ka vendos një taksë krejtësisht të re, në vlerë prej 5 euro, në secilën herë që i regjistroni automjetet tuaja. Me këtë vendim përfiton një biznes privat dhe individët e lidhur me të, duke zbraz xhepat e qytetarëve me afro 2 milion euro në vit, të cilat nuk i shkojnë buxhetit të shtetit”, shkroi Haradinaj.

E, pavarësisht se kush e nisi marrëveshjen, Durmishi ka renditur përfitimet nga ajo. Ai ka theksuar se ky ka qenë “hap i domosdoshëm” për t’u ndërmarrë.

“Tiketa ngjitëse ndikon në evidentimin e lehtë të automjeteve në komunikacion prandaj do të mundësoj që shumë shpejtë të arrijmë në pragun nën 5% të automjeteve të paregjistruara. Me këtë ne kemi përfitim si qytetarë sepse në njërën anë hiqet taksa prej 30 euro e në anën tjetër plotësojmë kriterin kryesor të aplikimit për kartonin e gjelbër me të cilin përfitimet janë të shumta. Përfitim tjetër natyrisht që është edhe siguria rrugore sepse nuk do të kemi automjete pa kontrolle teknike e regjistrim në komunikacion e rrjedhimisht më pak aksidente”, ka shkruar Durmishi.

 

Sqarim për opinionin publik në lidhje me marrëveshjen për "tiketa ngjitëse" Kjo marrëveshje si proces ka filluar në...

Posted by Hysen Durmishi on Thursday, July 15, 2021