Arbëri

Për dy ditë, 407 aplikacione të votuesve nga diaspora

450 aplikacione për regjistrim nga votuesit jashtë Kosovës ka pranuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për dy ditë.

Që nga hapja e afatit për aplikim, më 10 korrik e deri më 12 korrik, nga 450 aplikacione të pranuara janë aprovuar 407 prej tyre e 43 të cilat nuk kanë plotësuar kriteret e kërkuara.

Por, procesi i aplikimit, ndonëse nuk ka ndryshuar, është duke u konsideruar i vështirë nga votuesit potencialë.

“Shumë e vështirë, se unë jam lidh me faqen për votime e kur ka ardhur koha nuk kam mundur të votoj, e nuk jam kanë shumë e kënaqur. Për atë po them që kismet në tetor nëse mundem do të vij të votoj”, thotë Fikrije Zeqiri, votuese potenciale nga diaspora.

Ka edhe të atillë që ende nuk janë informuar për afatin brenda të cilit duhet të aplikojnë.

“Në zgjedhjet e tjera kemi votuat, në këto tash ta shohim, nuk kam filluar ende të informohem për procesin”, ka thënë Mirdete Krasniqi, votuese potenciale nga diaspora.

Afati prej 40 ditësh për regjistrim e ai prej 30 ditësh për dorëzimin e zarfeve me fletëvotime, sipas Sihana Bejtullahut, nga organizata “Germin” që merret me çështjet e diasporës, është i mjaftueshëm.

Megjithatë, krahasuar me zgjedhjet qendrore, Bejtullahu pret që interesimi të jetë më i vogël.

“Krahasuar me zgjedhjet e kaluara kemi parë që interesimi më i madh i pjesëtarëve të diasporës është më i madh në zgjedhjet qendrore sesa ato lokale prandaj besoj që edhe pritshmëritë e tona janë të njëjta që të vazhdohet edhe kësaj radhe nuk do të jetë interesim aq i madh sikur ka qenë në zgjedhjet qendrore”, ka thënë Bejtullahu.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kanë bërë të ditur se edhe verifikimi i aplikuesve do të jetë më ndryshe.

“Në bazë të udhëzimit administrativ KQZ-ja do të verifikoj, telefonojë 2 për qind të aplikuesve sipas metodës së për zgjedhjes së rastësishme dhe po ashtu do të verifikoj edhe rastet kur edhe i njëjti numër i telefonit përdoret në një aplikacion me numra të ndryshme mënyra e verifikimit do të jetë përmes thirrjeve telefonike”, është shprehur Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Afati 40-ditor për aplikimin për regjistrim për votim jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale, i cili ka filluar të rrjedhë që nga 10 korriku, do të përmbyllet më 18 gusht.

Derisa procesi i votimit përmes postës do të fillojë më 15 shtator e do të përfundojë më 15 tetor, dy ditë para datës së mbajtjes së zgjedhjeve komunale.