Arbëri

Clark pritet nga Osmani: Kosova është krijuar falë shpirtit kryengritës të qytetarëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar ish-komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Wesley Clark. Ajo i ka thënë Clarkut se simbolizon vendosmërinë e botës demokratike për t’u vënë në mbrojtje të jetëve njerëzore.

Osmani ka shtuar se gjenerali Clark e gëzon mirënjohjen e përjetshme të popullit të Kosovës.

"Nuk do të jetë asnjëherë e mjaftueshme t'jua ritheksojmë mirënjohjen tonë për atë që ju bëtë për Kosovën në momentet më të vështira të historisë së saj. Rrëfimi juaj për Kosovën duhet të vazhdojë të dëgjohet gjithandej botës", ka theksuar Osmani.

Ndërsa, gjenerali Clark shprehu kënaqësinë që po rikthehet në Kosovë duke shprehur gatishmërinë që të vazhdojë ta përkrahë Kosovën.

"Ky vend është krijuar falë shpirtit tuaj kryengritës dhe këmbëngulësisë së qytetarëve të këtij vendi për ta fituar lirinë", tha gjenerali Clark.


Konjufca i shprehet mirënjohës Clarkut për kontributin në proceset e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ish-komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjeneralin amerikan Ëesley Clark, i cili shoqërohej nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Gjenerali Clark u shpreh i lumtur për vizitën e tij në Kosovë dhe e përgëzoi kryekuvendarin Konjufca për progresin dhe të arriturat që ka shënuar shteti ynë ndër vite, duke u bërë shembull impresionues i lirisë e demokracisë dhe faktor paqeje, stabiliteti e bashkëpunimi në rajon e më gjerë.

Ndërsa kryekuvendari Konjufca, pasi i dëshiroi mirëseardhje gjeneralit Clark, tha se populli i Republikës së Kosovës dhe ai personalisht ndjehen shumë të nderuar e të privilegjuar që në mesin e tyre gjendet ish-komandanti Suprem i NATO-s dhe miku i madh i popullit tonë, gjenerali amerikan Ëesley Clark – ushtaraku i shquar i cili urdhëroi bombardimet e Aleancës Veriatlantike mbi caqet serbe, duke i dhënë fund kapitullit të dhimbshëm të historisë sonë dhe duke ndaluar kështu gjenocidin e Serbisë mbi popullin shqiptar në Kosovë.

“Shfrytëzoj edhe këtë rast për t’ju shprehur juve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mirënjohjen dhe falënderimin e pafund për kontributin e jashtëzakonshëm që keni dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për mbështetjen që vendi juaj vazhdon t’i jap vendit tonë në të gjitha proceset e integrimit dhe zhvillimit të gjithmbarshëm. Liria dhe pavarësia e Kosovës tashmë mbajnë vulën tuaj, të ShBA-ve, të NATO-s dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Republika e Kosovës do t`ju mirëpres gjithmonë si hero”, ka thënë kryekuvendari Konjufca.​

Image