Kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me familjen e tij ka nisur ditën me homazhe e nderime në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Me këtë rast, Krasniqi ka thënë se ardhja në Prekaz është e domosdoshme para marrjes së përgjegjësive sepse është një frymëzim shtesë për ta fuqizuar vetëdijen politike.
“Prekazi mbetet udhërrëfyesi ynë sepse ky është vendi ku ka lindur dhe ku ka marrë kuptim liria e Kosovës. Andaj e konsideroj të patejkalushme dhe të domosdoshme ardhjen në Prekaz para marrjes së çfarëdo përgjegjësie. Pra është edhe nder, obligim, privilegj edhe përgjegjësi që në ditën e parë si kryetar i PDK-së së bashku me familjen time të vij në Prekaz për të marrë një frymëzim shtesë por edhe për të fuqizuar vetëdijen tonë politike për punët të cilat na presin dhe për të marrë një inspirim shtesë nga sakrifica titanike e familjes Jashari”, deklaroi ai.
Ai shtoi po ashtu se ADN-ja e Partisë Demokratike të Kosovës është Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Unë e kam thënë edhe dje në Konventën e PDK-së që ADN-ja e partisë sonë është UÇK-ja. Lufta dhe sakrifica e mijëra heronjve e çlirimit tonë dhe Adem Jashari është simboli i gjithë kësaj lufte. Kështu që ndjehem i përgjegjshëm ndaj historisë së Partisë Demokratike të Kosovës, ndaj të gjithë atyre njerëzve që për vite e dekada kanë punuar për ta sjellur partinë tonë deri në këtë fazë dhe për punën që na pret në të ardhmen”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi gjatë ditësh së djeshme u zgjodh në këtë pozitë me shumicë votash të delegatëve pjesëmarrës në Konventën zgjedhore të partisë. Në votim morën pjesë 476 delegatë. Vetëm 7 vota ishin kundër.