Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka deklaruar përsëri se disa prej dozave të vaksinës anti-COVID, të ardhura nga Norvegjia, janë me afat të skaduar.
Haxhiu ka shkruar se një pjesë prej tyre iu ka skaduar më 30 qershor, ndërsa pjesës tjetër do t’u skadojë më 30 korrik.
“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së qytetarëve tonë MSH duhet të respektojë ligjin dhe afatet e përdorimit të vaksinave të blera dhe të pranuara donacion. Kur Norvegjia muaj më parë largoi nga përdorimi vaksinat AstraZeneca në depo kishte 180,600 doza. Prej këtyre vaksinave 52,800 doza afatin e skadimit e kanë pasur me datë 30 Qershor 2021, ndërsa pjesa tjetër afatin e skadimit e kanë me 30 korrik 2021. Sipas OBSH aprovimi i vaksinave kundër COVID-19 me procedurë emergjente, përfshirë edhe vaksinën AstraZeneca, nga rregullatorët e barnave u dha me 6 muaj aftat të skadimit në dispozicion”, ka shkruar Haxhiu.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve se para se të vaksinohen, të shohin datën e prodhimit të vaksinës. Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu të mërkurën e javës së shkuar ka thënë se vaksinat nga Norvegjia janë mashtrim.
Deklaratat e tilla, mjekë kosovarë i kanë përgënjeshtruar ditë më parë, duke thënë se vaksinat e dhuruara donacion nga shteti i Norvegjisë, kanë afat të mjaftueshëm.
182.000 doza të vaksinës AstraZeenca kanë mbërritur të shtunën në Kosovë.