Arbëri

Kryetari i ri i PDK-së paralajmëron opozitarizëm aktiv

Kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka paralajmëruar se nën udhëheqjen e tij, PDK-ja do të zhvillojë opozitarizëm aktiv.

Krasniqi ka thënë në një konferencë për media pas zgjedhjes në krye të partisë, se do të jenë kritikë por jo pengues, në korrektim, të siç ka thënë, qeverisjes aktuale apatike.

“Opozitarizmin tonë do ta kemi aktiv, jo destruktiv. Kritikë por jo pengues, në funksion të korrektimit të kësaj qeverie krejtësisht apatike e cila ka treguar saktë se çfarë qeverie është në këto 100 ditë. Është më e zbehtë dhe më pa rezultate se cilado qeverisje në të kaluarën. Do ta luajmë rolin tonë opozitar në një mënyrë që do të jetë edhe në përputhje me pritjet dhe kërkesat e qytetarëve”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se shumë shpejtë do ta formojë kryesinë e re të partisë, ndërkohë që ka bërë të ditur se deri më 17 gusht PDK-ja do t’i paraqesë të gjithë kandidatët për asamble për zgjedhjet komunale të 17 tetorit.