Arbëri

ZKA: Mbi 62 mijë euro nga gjykatat të paregjistruara në E-pasuria

Mungesa e pagesave të blerjeve, mbivlerësimi i llogarive të arkëtueshme janë disa nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit gjatë një audimi të bërë Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Auditori ka vërejtur që 10 pagesa (blerjet e vitit) në vlerë 62,848€, nuk ishin regjistruar nga gjykatat në sistemin e-pasuria.

“Problemi në regjistrat e e-pasurive vjen edhe nga vet sistemi, të cilin e administron MPB, por edhe nga mungesa e kontrollit më efektiv nga ana administratorëve nëpër gjykata. Në kuadër të KGJK, kemi vërejtur se komisionet e inventarizimit në dy gjykata (Gjykata e Apelit dhe Gjykata themelore e Pejës) nuk kishin kryer inventarizimin dhe rrjedhimisht nuk kishin përgatit raport që ndërlidhet me inventarizimin e pasurive. Një praktikë e tillë po përsëritet qe disa vite përkundër rekomandimit të viteve të kaluara. Vlen të theksohet që gjykata themelore e Pejës me degët e saj kishte kryer inventarizimin mirëpo pas përgatitjes së PFV. Kjo ka ndodhur si pasojë e mungesës së kontrolleve të duhura nga sekretariati dhe gjykatat për të siguruar harmonizimin dhe kryerjen e plotë të procesit të inventarizimit”, thuhet në këtë auditim.

KGjK në PFV-të e vitit 2020 ka shpalosur llogari të arkëtueshme në vlerë prej 107,020 euro, llogari këto që përbëhen nga vendimet e gjykatave për gjobat e trafikut, gjobat nga gjykatat, tarifat gjyqësore të cilat janë të parealizuara deri në fund të vitit 2020 dhe si të tilla janë bartur për t’u inkasuar në vitin 2021.

Auditori kishte testuar pesë mostra për teste substanciale në vlerë 25,533€.

“Nga pesë (5) mostrat e testuara, në dy raste në vlerë 15,000€ kemi vërejtur që këto vlera ishin shpalosur si Llogari të arkëtueshme ndërsa të njëjtat ishin të hyra të realizuara që nga qershori i vitit 2020. Arsyeja e mbivlerësimit është mos barazimi i shënimeve të SIMFK me shënimet e Sistemit Elektronik për Menaxhimin e të Hyrave (SEMH) për ekzekutimet që bëhen me vendim të gjykatës pa lëshim të fletëpagesës e cila duhet të procedohet përmes SEMH”, thotë raporti i auditorit.

Raporti gjithashtu ka konstatuar se KGjK-ja kishte lëvizje buxhetore nëpër kategori, por të cilat ishin të mbështetura me vendime përkatëse të Ministrisë së Financave dhe Qeverisë.

KGjK për menaxhimin e situatës me COVID 19 kishte shpenzuar 14,083 euro.