Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi duke komentuar ndodhitë e sotme në Kuvend ka thënë se sot ka pasur veprime të dhunshme në kuptimin e dhënies së fjalës në Kuvend.
Ai ka thënë se kryesuesja e seancës së sotme, Saranda Bogujevci është përdorur nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Unë kam pritur më shumë se një orë ta marrë fjalën dhe në momentin që e kam marrë më është ndërprerë. Kemi veprime nga kryesuesja e seancës, nuk e di a të qëllimshme por dyshimet shkojnë se kryesuesja e seancës po përdoret nga LVV-ja. Ne sot e patëm të pamundur që të përdorim të vetmin instrument që e kemi të garantuar me Kushtetutë dhe lirinë e fjalës. Unë kam kërkuar mocion procedural... zonja në fjalë nuk ma dha fjalën. Nëse kjo sjellje vazhdon kështu fatkeqësisht kuvendi po shkon drejt tensionimeve. Ne kemi kërkesë që të mbahet mbledhja e kryesisë dhe këto çështje të diskutohen në kryesi të kuvendit. Znj Bogujevci nëse vazhdon me këto sjellje nuk i bën nder as vetit as kuvendit”, ka thënë ai.
Për deklaratën e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ai ka thënë se janë deklarime të tepruara dhe të panevojshme.