Arbëri

Komisioneri për Zgjerim i BE-së viziton sot Kosovën

Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi do të vizitojë sot Kosovën, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor.

Kjo vizitë lidhet me vaksinat e shpërndara nga Bashkimi Evropian për vendet e rajonit.

“Do të udhëtoj drejt Ballkanit Perëndimor për të përçuar mesazh të qartë: Ne kujdesemi! Ne kujdesemi për partnerët tanë dhe kujdesemi për punëtorët e tyre shëndetësorë dhe ata më të rrezikuarit. Shpërndarja e vaksinave konfirmon përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të ofruar përkrahje, siç kemi bërë që nga shpërthimi i pandemisë. Bashkë më të fortë!”, ka thënë ai për uebfaqen e Komisionit Evropian.

Varhelyi gjatë këtyre ditëve do të qëndrojë në vendet e rajonit, duke nisur nga Serbia ku ishte në vizitë të hënën, për të vazhduar me Bosnjën, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.