Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është kundërpërgjigjur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në lidhje me deklaratën e saj se çdo ide që sjell destabilizim burimin e ka në Beograd.
Ai gjatë një vizite në Novi Sad, ka thënë se askush në Kosovë nuk bën as të ëndërrojë se Serbia do të njohë pavarësinë e Kosovës. Madje, edhe është tallur, duke thënë: “Sot gjatë gjithë ditës po festoni që Netflixi iu ka futur në listën e shteteve. Netflixi iu futi në listë, çka po ju duhen Kombet e Bashkuara, Interpoli. Shikoni filma, goditni topin, gjithçka është në rregull”.
Platforma e filmave Netflix ka futur Kosovën në listën e shteteve, pas një peticioni të nisur në Kosovë.
Vuçiq foli për Osmanin, pasi u pyet nëse Serbia qëndron pas “non-paperit” që ka ngjallur reagime të shumta.
Osmani po ashtu kritikoi këtë dokument ku parashihej se si do të vihej te marrëveshja Kosovë – Serbi, duke thënë se idetë destabilizuese gjithnjë vijnë nga Serbia.
“Kjo paraqitje e ‘non-paperit’ tregon se presioni mbi Serbinë do të jetë gjithnjë e më i madh kur po i afrohemi presioneve finale për arritjen e një marrëveshjeje ose shpalljen e një fajtori”, ka thënë Vuçiq, përcjell mediat serbe të mërkurën.