Arbëri

Shabiu: Çështja e të pagjeturve nuk u takon vetëm familjarëve

Drejtoresha e Iniciativës të të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Marigona Shabiu, ka folur për aktivitetet e sotme për të shënuar Ditën e të Pagjeturve në Kosovë.

Ajo në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se me aktivitetet e sotme të shumë organizatave që janë bërë bashkë, qëllimi ishte që te publiku të përqohet mesazhi se fati i të pagjeturve nuk u takon vetëm familjarëve të tyre.

“Ishim shtatë organizata, që përmes aktiviteteve e kemi shënuar këtë ditë. Qëllimi i përbashkët është që të vetëdijësojmë publikun se çështja a të pagjeturve nuk u takon vetëm familjarëve, për të gjithëve. Shoqëria kosovare nuk mund të ketë paqe të qëndrushme pa u zbardhur fati të gjithë këtyre personave”, ka thënë Shabiu.

Organizata, ku ajo është drejtoreshë, ka shënuar sot Ditën e të Pagjeturve me një instalacion në Prishtinë, ku janë shënuar emrat e të gjithë të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, 1639.

“Kërkojmë drejtësi për të gjithë personat e zhdukur, drejtësi që vazhdon me u kërku nga familjet e tyre”, ka thënë ajo.