Arbëri

Paralajmërimi i Zyberajt, ia kujton Osmanit “kontributin” për rrëzimin e Pacollit nga posti i presidentit

Jetlir Zyberaj, këshilltar i kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ia ka kujtuar pretendentes për presidente, Vjosa Osmani, “kontributin” e saj dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës për rrëzimin e Pacollit nga posti i presidentit, dhjetë vjet më parë.

Në kohën kur po pritet që Osmani të votohet në Kuvend për postin e presidentes, dhe se kuorumi për votimin e saj është në pikëpyetje, Zyberaj ia ka kujtuar Osmanit dërgimin e rastit në Kushtetuese.

Pacolli, pak kohë pasi ishte shpallur president, ishte rrëzuar nga kjo detyrë me vendim të Gjykatës Kushtetuese në të cilin ishte konstatuar se nuk kishin qenë 80 votat e mjaftueshme në kuti për zgjedhjen e presidentit dhe se nuk kishte pasur kundërkandidat. Ky vendim sipas Zyberajt ishte absurd dhe sipas tij “e ka futur vendin tonë, demokracinë tonë të re, në një qorrsokak pa asnjë lidhje”.

“Pikërisht në këtë kohë, para 10 vjetësh, në bazë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Pacolli u largua nga zyra e Presidentit të Kosovës. Ishte VV, LDK dhe AAK që lëshuan sallën bashkë me keqorganizimin e qëllimshëm të seancës nga kryetari i Kuvendit atë kohë, që u mor si shkas i atij vendimi. LDK bashkë me kontributin ligjor të Znj.Vjosa Osmani e dërguan në Gjykatë. Sjellja e tyre ishte joprofesionale, jopolitike dhe dashakeqëse”, ka shkruar Zyberaj në Facebook.

Pacolli është një nga 15 deputetët e listës së LDK-së. Në anën tjetër, Vetëvendosje dhe Osmani në zgjedhjet e 14 shkurtit fituan 58 ulëse në Kuvend. Me 58 ulëset dhe me disa të konfirmuara nga komunitetet joshumicë, VV-ja e Osmani s’i kanë të sigurta votat për presidentin, kur dihet që PDK-ja dhe AAK-ja kanë thënë se s’do të marrin pjesë në votim. Kryesia e LDK-së ka vendosur që të “mos pengojë” procesin e zgjedhjes së presidentit, duke ua lënë në duar deputetëve të vendosin për pjesëmarrje në seancë.