Arbëri

Glauk Konjufca kandidat për kryetar të Kuvendit

Descriptive Text

Rreth një viti e gjysmë pas, në ulësen e kryetarit të Kuvendit, pritet të rikthehet Glauk Konjufca.

Koha mëson se ai do të jetë i propozuari i Lëvizjes Vetëvendosje për të marrë këtë post, në seancën konstituive që do të mbahet të hënën, më 22 mars.

Një gjë të tillë nuk e kanë mohuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Por, sekretari për media në këtë parti, Arlind Manxhuka, ka thënë se ende nuk kanë përfunduar diskutimet lidhur me pozicionet që do të kenë.

Televizioni ka provuar të konfirmojë një gjë të tillë nga Konjufca, por i njëjti ka qenë i paqasshëm të martën.

Konjufca e ka mbajtur postin e kryeparlamentarit rreth një muaj e gjysmë, pasi u emërua në fund të dhjetorit të 2019-s, për t`u zëvendësuar më pastaj me Vjosa Osmanin, pasi mori detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme.

Lidhur me përgatitjet për seancën konstituive, këtë të marte është mbledhur Kryesia e legjislaturës së kaluar.

Pas mbledhjes, ish-nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, ka thënë se çështjet që kanë diskutuar, kanë qenë teknike.

Megjithëse se nuk ka dhënë ndonjë datë, Nagavci ka njoftuar se i kanë votat e nevojshme për formimin e Qeverisë.

“Votim i Qeverisë do të bëhet shumë shpejt, se Lëvizja i ka vota e mjaftueshme për të votuar qeverinë, është jashtëzakonisht shumë me rëndësi që të gjitha institucionet të konstituohen sa më parë, jemi në kohë pandemi po ballafaqohemi me probleme të shumta”, ka thënë Arbërie Nagavci.

Por, një gjë të tillë, nuk e ka thënë edhe për postin e presidentit.

“Sa i përket gjithë institucioneve, përfshirë edhe pozitën e presidentit, unë besoj se subjektet politike kanë marrë porosinë e duhur nga qytetarët në zgjedhjet e 14 shkurtit”, ka shtuar ajo.

Sipas Rregullores së Kuvendit, seanca konstituive deri në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, udhëhiqet nga deputeti më i vjetër dhe ai më i ri. Pas formimit të Komisionit për verifikimin e kourimit dhe mandateve, deputetët betohen solemnisht. Kryesuesi i seancës kërkon nga grupi më i madh parlamentar që të bëjë propozimin për kryetar të Kuvendit, për të vazhduar më pastaj me propozimet për nënkryetarë.