Arbëri

Pas PZAP-së dhe Supremes, partitë mund të ankohen edhe në Kushtetuese

Për moscertifikim të listave zgjedhore, subjektet politike, përveç PZAP-së, mund të ankohen edhe në Gjykatën Supreme, e cila do të jetë instanca e fundit që do të ketë ndikim në këto zgjedhje. Proceduralisht ato mund të ankohen edhe në Gjykatën Kushtetuese, porse vendimi i saj nuk do të krijojë efekt për zgjedhjet e 14 shkurtit

Prishtinë, 25 Janar - Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të martën do t’u kthejë përgjigje nëntë subjekteve politike të cilat janë ankuar në këtë organ pas moscertifikimit të kandidatëve e partive për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në rast se subjektet politike janë të pakënaqura me vendimin e PZAP-së, ato mund të ankohen edhe në Gjykatë Supreme, e cila do të jetë instanca e fundit për ankesë brenda afateve kohore të përcaktuara për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit. Pos PZAP-së e Supremes, ankesë mund të bëhet edhe në Gjykatën Kushtetuese, porse sipas juristëve prej saj nuk mund të pritet që të dalë me vendim brenda ciklit zgjedhor.

“Subjektet politike mund t'i çojnë çështjet edhe në Gjykatën Kushtetuese, por që Gjykata Kushtetuese nuk është një gjykatë e rregullt dhe nuk mund të shtyjë afate të cilat janë paraparë me vendimin e presidentes për datën e zgjedhjeve”, ka thënë Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Ndërsa Ylli Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka theksuar se edhe në rast se Gjykata Kushtetuese pranon një lëndë të tillë, duke u bazuar në praktikat e mëhershme, vendimi i saj do të mund të vononte dhe kësisoj nuk do të prodhonte kurrfarë efekti për këto zgjedhje.

“Hipotetikisht Gjykata Kushtetuese mund ta marrë vendimin edhe pas disa muajve e t'ia njohë të drejtën e kandidimit një kandidati, por kjo faktikisht nuk i shërben atij kandidati për ta realizuar të drejtën e vet, pasi që më datë 14 shkurt planifikohen edhe është e përcaktuar që të mbahen zgjedhjet”, ka thënë Zekaj.

Gjatë së hënës PZAP-ja ka njoftuar se të martën do të dalë me vendim lidhur me ankesat që ka pranuar nga partitë politike kundër vendimit të KQZ-së për moscertifikim të subjekteve politike dhe të kandidatëve. Pas vendimit të PZAP-së, partitë kanë kohë deri të mërkurën që të ankohen në Supreme, e cila ka afat prej 72 orësh që t’i shqyrtojë ankesat.

“Afati për shqyrtimin dhe vendosjen e këtyre apeleve është 72 orë nga momenti i dorëzimit të këtyre apeleve nga palët në PZAP, që i bie se vendimet do të merren deri nesër me datë 26 janar 2021”, thuhet në njoftimin e PZAP-it.

Në aktgjykimin e saj të datës 21 dhjetor, Gjykata Kushtetuese duke u thirrur në nenin 29 të Ligjit për zgjedhje, respektivisht në pikën ”q”, ua ka ndaluar kandidimin të gjithë personave që me vendim të prerë të gjykatës janë të dënuar për vepër penale në tre vjetët e fundit, pavarësisht se me nenin 45 të Kushtetutës çdo qytetari të Kosovës i njihet e drejta për kandidim përveç nëse kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor. Ky vendim i marrë nga Gjykata Kushtetuese, sipas Zekajt, ka rënë në kundërshtim me vetë Kushtetutën, gjë që ka shkaktuar edhe hamendeshim, por edhe telashe në procesin zgjedhor. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese duhet të interpretojë nëse ligjet bien në kundërshtim me Kushtetutën e jo nëse një dispozitë kushtetuese bie në kundërshtim me ligjin.

“Ne kemi konsideruar që ka rënë në kundërshtim me Kushtetutën vendimi i Gjykatës Kushtetuese për arsye se i ka dhënë rëndësi më të madhe ligjit sesa dispozitës Kushtetuese”, ka shtuar ai.

Sipas juristëve, problem tjetër që ka shkaktuar aktgjykimi i Kushtetueses në listat zgjedhore të kandidatëve për deputetë është edhe mosklasifikimi i natyrës së veprave penale.

“Vendet evropiane dhe vendet demokratike e kanë të rregulluar në mënyrë të detajuar se për cilat vepra penale, se për çfarë veprash mund t'i ndalohet dikujt e drejta e kandidimit. Pra, e kanë apriori. Tek ne është për të gjitha llojet e veprave penale veç mjafton me qenë vendim i plotfuqishëm i gjykatës. A është e drejtë kjo që po flasim, normalisht që do të duhej të ndiqeshin praktikat evropiane, por në anën tjetër përderisa ligji është kështu, duhet të aplikohet si i tillë”, ka thënë Florent Spahija.

KQZ-ja nuk i ka certifikuar disa nga subjektet politike, përfshirë VV-në, AAK-në dhe Nismën.