Nexhat Llumnica, nënkryetar i Sindikatës së KEK-ut, në “Express Intervistën” në KTV ka paralajmëruar se së shpejti do të ketë masa sindikale, protesta e greva, nga punëtorët e KEK-ut nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
“Janë të pashmangshme (protestat e grevat) për arsye se tetë muaj kemi biseduar me menaxhmentin dhe bordin e KEK-ut dhe përveç premtimeve nuk kemi pasur asnjë realizim të kërkesave. Janë ato bonuse që duhet të jepen për shkak të pandemisë. Shërbimi me energji elektrike është shërbim jetik dhe pa të nuk mund të luftohet as COVID-19. Punëtorët janë në një situatë të vështirë”, ka thënë Llumnica.
Njëra ndër kërkesat kryesore sipas tij është aprovimi i marrëveshjes kolektive.
“Kemi edhe kërkesën e aprovimit të marrëveshjes kolektive dhe ende nuk ka. Jemi kompania më fuqishme në Kosovë. Të gjitha e kanë e ne jo. Ne duhet të përdorim edhe formën e protestës, presionin sindikal të grevës dhe protestës. Nuk e di pse është gjithë ky hezitim. Faktikisht, partitë politike po shtyhen se kush duhet ta menaxhojë KEK-un, ndoshta po shtyhen se kush duhet ta falimentojë KEK-un. Kemi pasur shkarkime të njëpasnjëshme të bordit të KEK-ut dhe të gjitha kanë qenë të politizuara”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se nuk janë përzier në shkarkimin apo emërimin e bordeve.
“Si peng i këtyre politikave nuk po mund t’i realizojmë kërkesat e punëtorëve. Ka shumë kërkesa që burojnë prej ligjit të punës dhe nuk respektohen. E kemi rastin e puëntorëve që punojnë me ndërrime dhe punojnë në fundjavë. Punëtorët nuk punojnë papushim, por ata me ndërrimë duhet të punojnë edhe në fundjavë, e fundjava duhet të paguhet 50 për qind më shumë”, ka thënë Llumnica.
Ai ka thënë se KEK-u ka mungesë prej 1140 punëtorëve.
“Shkarkimet e bordeve, politizimet brenda KEK-ut, hapja dhe mbyllja e konkurseve. Ne kemi në mungesë 1140 punëtorë sipas sistematizimit të vitit 2016. Vetëm në divizionin e qymyrit i kemi dikund rreth 840 punëtorë në mungesë. Në Termocentralin Kosova B janë 100 punëtorë, në A janë mbi 200 punëtorë kështu që kjo mungesë e madhe e vështirëson punën e puntëorëve të KEK-ut të cilët duhet të punojnë edhe jashtë orarit. E di se është pezulluar konkursi, por nuk e di se pse. Po befasohna se si mund të pezullohet një konkurs kur një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Kosovës janë të papunë dhe kur dihet se në këto kohë sa është papunësia. Të rinjtë po ikin e KEK-u ka mungesë të punëtorëve. Secilit punëtor i duhet 6 muaj kohë për ta mësuar vendin e punës”, ka thënë Llumnica.
Ai ka shtuar se punëtorët nuk kanë marrë asnjë bonus shkaku i pandemisë, që nga muaji maj.
“Ne kemi bërë pyetje disa herë, mendoj se presioni është prej Qeverisë dhe prej bordit që është caktuar nga Qeveria. Një tjetër gjë që na preukupon janë të drejtat e punëtorëve. Prej majit nuk kemi marrë asnjë bonus për kohën e pandemisë. Punëtorët më të rrezikuar në vend janë ata të KEK-ut. Vetëm më 2019 kemi pasur dikund 20 punëtorë që kanë vdekur nga sëmundjet profesionale, pasi janë kancerogjene. Nuk ndodh asgjë, punëtorët vdesin para se të shkojnë në pension. Familjet mbesin shumë keq, pasi nuk marrin asnjë beneficion”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nëse nuk plotësohen së shpejti këto kërkesa, grevat dhe protestat janë të pashmangshme.
“E kemi paralajmëruar disa herë dhe po e bëjmë edhe këtu që nëse nuk aprovohet marrëveshja kolektive, nuk jepet bonus për punëtorët për shkak të pandemisë, nëse nuk respektohet ligji i punës për pikat që i cekëm atëherë ne jemi të detyruar të bëjmë protesta dhe greva e krejt ato që na mundëson Ligji për Greva derisa të arrijmë të realizojmë kërkesat e punëtorëve. Ne jemi në bisedime vazhdimisht, por nuk e di se prej kujt po vjen ky presion”, ka thënë Llumnica. “Nuk kemi përdorur grevë asnjëherë pasi kemi bërë presion më të butë, protesta. Në një të ardhme nuk mund të kursehemi gjithherë për fajet e dikujt tjetër. Jemi të detyruar që nëse nuk respektohen vendimet e gjykatave atëherë do të bëjmë grevë edhe për Ligjin e Punës, kjo është absurd”.
Ai ka shtuar se 80 për qind të punëtorëve i kanë vendin e punës të rrezikshëm dhe duhet t’iu jepet 30 ditë të punës pushim vjetor.
“Kushtet e punëtorëve të KEK-ut nuk mund të jenë të mira asnjëherë. Është një punë e rëndë, me gazra, me pluhur. Kushtet janë me të vërtet jo të mira, por duhet të stimulojmë ata punëtorë. Si rezultat i këtij rreziku edhe Qeveria, bordi e menaxhmenti duhet të kthejnë sytë kah punëtorët. Besoj se shumë shpejtë mund edhe të vendosim (për protestën apo grevën) si rezultat i punëtorëve”, ka thënë Llumnica.