Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të mbajë seancën dëgjimore publike për kushtetutshmërinë e Qeverisë Hoti, të mërkurën e 2 dhjetorit.
Sipas njoftimit nga Kushtetuesja, seanca do të nisë në orën 10:00. Aty do të bëhet shqyrtimi i kërkesës KO95/20, për “Vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 07/V-15, të miratuar më 3 qershor 2020, përkitazi me zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës”.
Njoftimi thekson se seanca do të mbahet online për shkak të situatës me COVID-19.
Kabineti qeveritar i propozuar nga Avdullah Hoti, më 3 qershor pati marrë mbështetjen minimale prej 61 deputetësh për formim të Qeverisë. Votat e diskutueshme ishin ato të deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haxhi Shala, që kishte votuar me intervenimin e presidentit Hashim Thaçi dhe të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, si dhe votën e Etem Arifit, të cilit i është kontestuar kushtetutshmëria e mandatit, shkruan KOHA.
Kërkesat i kishte deponuar në Kushtetuese Lëvizja Vetëvendosje.