Rreth tri dekada prej kur ishte krijuar Fondi i 3-përqindëshi, një pjesë e dyshimeve për keqpërdorim me këtë fond kanë marrë për herë të parë epilog në gjykatë të mërkurën.
Ish-deputeti i LDK-së, Naser Osmani, e Atdhe Gashi, dikur këshilltar i ish-kryeministrit në ekzil Bujar Bukoshi, janë dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga 3 vjet burgim për dy pika të aktakuzës, të ngritur dy vjet me parë nga Prokuroria Speciale.|
Avokati Arianit Koci, i cili e përfaqëson Atdhe Gashin në këtë proces, e ka konsideruar aktgjykimin dënues të pabazuar në fakte dhe prova, për shkak që, sipas tij, gjatë gjykimit ishte dëshmuar pafajësia e tyre në këtë proces.
Fondi 3 për qind ishte formuar nga kontributet e bashkatdhetarëve kosovarë, me qëllim të organizimit të jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve ‘90.
Këto mjete ishin menaxhuar nga Bujar Bukoshi, i cili ishte kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil.
Bukoshi është pjesë e aktakuzës së përbashkët me Osmanin e Gashin, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, procesi gjyqësor është veçuar dhe nuk është vazhduar me mbajtjen e seancave.
Isa Mustafa, ish-ministër i Financave i Qeverisë në ekzil, në vitin 2000, në televizionin publik, pati thënë se ky fondi kishte edhe 50 milionë marka gjermane.
Megjithatë, dënimi i shkallës së parë kundër Osmanit e Gashit nuk është marrë fare me dyshimet për keqpërdorim të këtij fondi në shpërndarjen e tij.
Akuzat për keqpërdorim në këtë akt akuzues kishin të bënin vetëm me pretendime për keqpërdorim në emër të shpenzimeve në organizatë.
Nga Fondi që ka pasur të hyra milionëshe, Prokuroria Speciale pati ngritur aktakuzë për shpërdoronim të rreth 150 mijë eurove, të cilat Osmani e Gashi, në rast se vendimi do të bëhet i plotfuqishëm, do të detyrohen t’ia kthejnë shtetit.