Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë shefit të Grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, për mbajtjen e dy pozitave publike në të njëjtën kohë, atë të deputetit, si dhe nënpresidentit të parë në Komitetin Olimpik të Kosovës.
Ajo të enjten e ka shpallë të pavlefshëm aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të 5 gushtit të vitit të kaluar, i cili konstatonte se ka konflikt interesi në mbajtjen e këtyre dy pozitave, derisa ka kërkuar që lënda të kthehet në rigjykim.
Shefi i GP të PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar interpretim nga Kushtetuesja, me pretendimin se “me vendimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij, të garantuara me nenin 31, që ka të bëjë me të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të Kushtetutës së Kosovës që lidhen me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Gjykata ka konstatuar se ka pasur shkelje të këtij neni, shkruan KOHA.
Krasniqi kishte refuzuar që të hiqte dorë nga pozita e dytë publike që mbante krahas asaj të deputetit, edhe pse Agjencia Kundër Korrupsionit e kishte njoftuar se kjo përbën konflikt interesi.
Në vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Krasniqit i ishte kërkuar që të tërhiqej nga pozita në Komitet. Por ai kishte mohuar se mbajtja e këtyre dy pozitave është në konflikt interesi.
“Nga zyrtari i lartë, Memli Krasniqi, është kërkuar të heqë dorë nga njëri funksion brenda afatit ligjor, përndryshe Agjencia është e obliguar të veprojë konform Ligjit nr.06/L-011 për parandalimin e konfliktit të interesit. Pas kësaj, me kërkesë të z. Memli Krasniqi, janë organizuar disa takime për të diskutuar lidhur me rastin. Gjatë këtyre takimeve zyrtari i lartë nuk e ka pranuar konstatimin e Agjencisë për gjendjen e konfliktit të interesit”, theksohet në vendimin e AKK-së.
Në vendim thuhet se i është dërguar shkresë paralajmëruese Krasniqit, me të cilën është konstatuar se ushtrimi i funksionit si deputet dhe njëkohësisht nënpresident i parë i Komitetit Olimpik të Kosovës është në kundërshtim me Ligjin, saktësisht me Ligjin Nr. 06/L-011 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Në nenin 14 të këtij ligji thuhet se “zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues, me përjashtim të funksionit drejtues, të organizatës joqeveritare nga lëmi i shkencës, sportit, arsimit, kulturës, veprimtarive humanitare dhe të ngjashme pa të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera lidhur me to”.
“Nga kjo del se zyrtari i lartë, z. Memli Krasniqi, mund të jetë vetëm anëtar i organit drejtues në Komitetin Olimpik të Kosovës, duke përjashtuar funksionin që ushtron aktualisht në Bordin Ekzekutiv si nënpresident i parë”, konstaton AKK-ja.
AKK-ja ka kërkuar që të merren masa ndaj Krasniqit. Kishte njoftuar edhe ish-kryetarin e Kuvendit në atë kohë, Kadri Veseli, që të merrte masa ndaj deputetit, duke e njoftuar se rasti do të përfundojë në gjykatë.
“Agjencia do të kërkojë fillimin e procedurës për kundërvajtje nga Gjykata kompetente”, thuhet në vendim.
Ky vendim ishte proceduar në Gjykatë, madje kishte vendim edhe të Apelit.