Arbëri

Mbi 47 mijë gjoba për kosovarët që nuk respektuan ligjin kundër COVID-19

Ka më shumë se një muaj prej hyrjes në fuqi të Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e pandemisë COVID-19, e për moszbatim të masave anti-COVID, Policia e Kosovës ka gjobitur mbi 47 mijë qytetarë të Kosovës. Më pak gjoba janë shqiptuar nga Inspektorati Sanitar, ku vetëm në muajin shtator janë dënuar 110 qytetarë dhe rreth 80 biznese.

Vendosja e maskës, ndalimi i punës së gastronomisë pas orës 23:30 dhe ndalimi i muzikës prej orës 21:00 në subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme), janë disa nga masat që Qeveria e Kosovës ka vendosur për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Zyra për Informim në Policinë e Kosovës përmes një përgjigje për KP, ka njoftuar se nga dita kur ka hyrë në fuqi Ligji për luftimin e COVID-19, janë shqiptuar 47 mijë e 312 gjoba. Për nga shifrat, më së shumti shkelës të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, janë identifikuar në komunën e Prishtinës, e cila prinë me gjithsej 12 mijë e 432 gjoba, e pasuar nga qyteti i Pejës me gjithsej 7838, Prizreni me 6838 e kështu me radhë.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se qytetarët e Kosovës janë vetëdijesuar dhe po i respektojnë masat antiCovid, por shton se duke e parë që ditëve të fundit ka rritje të rasteve me koronavirus, janë dakorduar që mos të ketë falje për shkelësit.

Ibrahimi deklaron se me qëllim që mos të vihet deri tek ashpërsimi i masave, është kërkuar mobilizim i të gjitha institucioneve përgjegjëse.

“Po të mos ishin respektuar masat do ta kishim një numër jashtëzakonisht të lartë të të infektuarve, mirëpo për arsye se janë duke u po respektohen masat bartja e maskës, distanca sociale dhe higjiena personale janë duke u respektuar, prandaj kemi numër të kënaqshëm sepse edhe me këtë nuk duhet të jemi të vetëkënaqur kënaqur por duhet të kërkojmë që ky numër të bie tutje. Në përgjithësi situate është nën kontroll, e menaxhueshme dhe të gjitha masat në shumicën e rasteve janë duke u respektuar. Kemi raste ku kemi ende dasma, kemi raste ku gastronomia organizon ndeja me muzikë, kemi raste kur disa lokale nuk i përmbahen rregullave dhe atyre u është shqiptuar vërejtja, por më nuk do ketë pardon”, tha Ibrahim.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës deklaron se mjetet nga gjobat e shqiptuara nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës për mosrespektim të masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë do të shkojnë në buxhetin e komunave.

“Mjetet nga gjobat e shqiptuara nga Policia e Kosovës shkojnë me automatizëm në buxhetet komunale sepse është e rregulluar me ligj, mjetet tjera mund të shkojnë në buxhetin e Kosovës, mirëpo pastaj ekzistojnë formulat e ndarjes buxhetore ndaj komunave, përmes granteve specifike”, deklaroi Ibrahimi.