17:42

Përplasen Selimi e Veliu, e quajnë njëri-tjetrin ”të pafytyrë e të paaftë”

Në përgjigjet e tij, ministri Agim Veliu, ka thënë se Karaçeva është e Kosovës dhe se Policia e Kosovës është prezente atje.

Sipas tij, ajo vetëm i shfrytëzon rrugët dytësore për shkak të një gjendjeje, që ka thënë se atje ekziston moti.

Veliu ka thënë se incidentet në këtë vijë kufitare janë të shpeshta. Vetëm këtë vit ka thënë se janë raportuar 19 raste të tilla. Sipas tij problemi me kufij me Serbinë daton nga vitit 1999 dhe nuk është çështje e 7 gushtit e këndej.

“Mandati i sigurisë me kufirin me Serbinë është ende mandat i KFOR-it”, ka theksuar Veliu, përcjell KOHA.

“Për shkarkimin e përmendur nga zotëri Selimi, më ka shkarkuar, por jeni shkarkuar të gjithë”, ka theksuar Veliu.

Një përplasje në mes të Veliut dhe Selimit ka ndodhur edhe sa i përket hapjes së kazinove në zonën e Karaçevës. Kjo pasi që Veliu ka thënë se ato janë hapur në kohën e Qeverisë Kurti.

Pas kësaj ka reaguar Selimi duke thënë se është e rëndësishme të dihet nëse ato janë hapur në kohën kur ai ka qenë ministër i Brendshëm apo pas shkarkimit të tij.

“Unë besoj që t’i je shkarkuar jo për mustaqet që i mban por që ke qenë i paaftë edhe mendoj që shkarkimi juaj do t;i mbahet për të mirë qeverisë Kurti”, ka theksuar Selimi.

Pas kësaj ka reaguar Veliu. “Rexhep unë i mbaj mustaqet por i pafytyrë si ti nuk jam”, ka deklaruar Veliu.

17:01

Selimi kërkon shkarkimin e Veliut, e quan “të paaftë e të papërgjegjshëm”

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se deklaratat e ministrit Agim Veliu, jo që janë të papërgjegjshme, por, siç tha ai, secila brenda saj përmban "një skandal në vete".

“Si është e mundur që ju si ministër të deklaroni se qytetarët atje nuk janë të rrezikuar por të shqetësuar, apo deklarata e fundit që situata atje është e qetë, nuk ka reagime të banorëve, thua që ti e ke shqetësim reagimin e banorëve e jo futjen e forcave serbe atje”, ka theksuar Selimi, përcjell KOHA.

Ai ka kritikuar edhe deklaratën e Veliut lidhur me kërkesën bërë KFOR-it që pala serbe brenda mundësive të mos zbres shumë poshtë kufirit.

Selimi ka thënë se është habitur nga fjalimi i Veliut.

“Zotëri Veliu me aq sa pashë unë, nuk e kuptova shumë mirë, a e dini ku i ka kufijtë Kosova, sepse asnjëherë nuk iu referove atij kufiri si kufij shtetëror, por herë si vijë administrative, herë si vend i kontestuar, herë si kufij që nuk ekziston e të tjerë”, ka deklaruar Selimi.

Tutje, Selimi kërkoi edhe shkarkimin e Veliut. 

“Kemi një ministër krejt të paaftë për këtë punë, por po del të jetë edhe i papërgjegjshëm. Siç thotë populli as nuk vet e as nuk din. Dikur iu gjet qarja, për një nivel të tillë të papërgjegjësisë edhe të paaftësisë edhe u shkarkua. Tash po del që nuk ka kush e shkarkon. Edhe kjo punë ka ilaç, ta shkarkojmë shefin, së shpejti edhe ti e edhe shefi juaj do të shkarkoheni dhe kjo do të jetë zgjidhje në zgjedhjet e reja që do të vijnë”, shtoi ai.

16:43

Veliu për rastin në Karaçevë: Situata e qetë, do të mbahet nën vëzhgim

Ka nisur interpelanca ku po raporton ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu. Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, paraprakisht njoftoi se në mungesë kuorumi s’mund të votohen rezolutat e kaluara.

Kanë kaluar më shumë se 1 muaj prej kur një pjesë e xhandarmërisë serbe hyri në Karaçevë, e për këtë, sot raportoi Veliu.

Në fillim të interpelancës propozuesja, deputetja e LVV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka propozuar një rezolutë me dy pika.

“Institucionet e Kosovë të ndërmarrin masat e nevojshme dhe t’i përdorin të gjithë mekanizmat kushtetues e institucionalë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, tha ajo, raporton KOHA.

Ka shtuar se me 7 gusht territori i Kosovës në atë pjesë ishte cenuar dhe qytetarët e Karaçevës ishin terrorizuar nga hyrja e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë. Sipas saj hyrja e tyre në Karaçevë është shkelje e sovranitetit të vendit.

Veliu tha se “kanë pranuar informata nga ana e qytetarëve për patrullimet e xhandarmerisë serbe”.

Sipas tij ata kanë lëvizur rreth një kilometër brenda territorit të Kosovës.

Veliu ka thënë se Policisë së Kosovës nuk i lejohet të patrullojë në atë pjesë pasi që është territor i kontestuar bazuar në marrëveshjen e Kumanovës.

Me gjithë këtë, ai ka thënë se vlerësimi i përgjithshëm është që situata momentale është e qetë, por që duhet të mbahet nën vëzhgim nga organet e sigurisë.

Veliu ka thënë se KFOR-i e ka siguruar që ky ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët i tyre më palën serbe dhe se të tilla aktivitete mbahen si me palën serbe ashtu edhe me atë të Policisë së Kosovës.

“Kërkuam njëkohësisht që sipas mundësive ushtria serbe të mos zbres shumë poshtë vijës kufitare si dhe mundësisht të koordinohemi për aksione të tilla”, ka treguar Veliu për kërkesat që ka bërë në takim më përfaqësues të KFOR-it.

14:33

Kuvendi në pauzë, pritet votimi i një rezolute për arsimin

Pas diskutimesh për arsimin, Kuvendi i Kosovës ka hyrë në pauzë deri në orën 15:30.

Pas pauzës pritet votimi i një rezolute “e cila do të ndihmonte në mbarëvajtjen e procesit mësimor”.

12:11

Hoxha kritikon Qeverinë për mosndarjen e mjaftueshme të buxhetit për shkolla

Në emër të PDK-së, deputeti Sejdi Hoxha, ka thënë se problemi kryesor që nuk e ka trajtuar kjo qeveri është mosndarja e buxhetit të mjaftueshëm për fillimin e vitit shkollor.

Kjo, sipas tij, ka ndodhur përkundër që buxheti është rishikuar në kohën e pandemisë.

“Po të ishte ky buxhet i mjaftueshëm sigurisht që do të orientohej në blerjen e maskave, praninë e stafit shëndetësor në shkolla ... rritja e numrit të mësimdhënësve, dezinfektimin e hapësirave publike, riorganizmin e transportit publik për nxënësit”, ka theksuar Hoxha.

Sipas tij do të ishte e nevojshme që profesionistët shëndetësor të matin temperaturën e jo staf joprofesional.

Hoxha ka thënë se në disa shkolla përdoret ujë si dezinfektues dhe se dezinfektimin e bëjnë punëtorët teknik.

11:52

Likaj: I vështirë vendimi për kthimin në shkolla

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, në adresimin e tij para deputetëve ka folur për përgatitjet që ka bërë ministria për fillimin e vitit të ri shkollor.

Sipas tij vendimi për të nisur mësimi në kushtet aktuale ka qenë shumë i vështirë, transmeton KOHA.

“Ishte shumë vështirë për të vlerësuar dhe vepruar, duke parë dinamikën dhe ndikimin që ka situata me virus në shëndetin dhe mirëqenien e shoqërisë”, është shprehur Likaj.

Megjithëkëtë sipas tij, duke parë rëndësinë e kthimit në shkolla, vendimi për hapje ka qenë i rëndësishëm dhe i mirëpritur nga të gjithë.

Ne emër të deputetëve të LDK-së, Valentina Bunjaku, ka thënë se me pandeminë është duke u ballafaquar e gjithë bota dhe se ka edhe shtete të tjera që kanë shtyrë fillimin e vitit shkollor, edhe pse sipas saj janë shtete të konsoliduara.

Sipas saj në këtë sfidë ministria duhet të mbështetet nga të gjithë.

“Sot duhet t’i japin mbështetje pozite dhe opozitë, Ministrisë së Arsimit, në mënyrë që të kalohet kjo sfidë e cila është globale. Larg betejave politike dhe inateve në të kaluarën”, është shprehur Bunjaku.

Sipas saj fillimi i vitit shkollor në shumicën e komunave ka ecur mirë, me përjashtim të komunës së Kamenicës.

11:28

Nagavci: Buxheti për arsim do të duhej të rritej

Propozuesja e Interpelancës, deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë që përfundimi i vitit të kaluar shkollor, institucionet kanë pasur mundësi që të përgatiten për vitin e ri shkollor.

“Ndonëse ishte njoftuar se viti shkollor do të niste me kohë, ai nisi me dy javë vonesë dhe atë në dy faza dhe me kthim të pjesshëm dhe jo për të gjithë fëmijët në shkolla”, ka theksuar Nagavci.

Sipas saj buxheti për arsimin do të duhej të rritej duke marrë parasysh faktin se mësimi nuk zhvillohet si zakonisht.

“Akoma edhe sot jemi dëshmitar që në një pjesë shumë të madhe të shkollave vazhdojnë të mungojnë edhe kushtet elementare sanitare, higjienike, madje ka shkolla që nuk kanë as ujë të pijshëm. Ka edhe shkolla me numër të madh të nxënësve, raportohet se ka tollovi në oborr të shkollës, një numër të madh të nxënësve që nuk kanë mundësi të respektojnë distancën dhe madje edhe klasa ku janë dy nxënës në një bankë”, është shprehur Nagavci.

Ajo ka kërkuar që bashkë me grupet e tjera parlamentare në fund të interepelancës të dakordohen për votimin e një mocioni të përbashkët lidhur me problemet e ngritura.

11:12

Kuvendi nis punimet pa kuorum

Kuvendi i Kosovës ka nisur punimet e sotme pa kuorum, duke pamundësuar votimin e rezolutës së Lëvizjes Vetëvendosje për dialogun. Pika e parë e rendit të ditës është interpelanca e ministrit të Arsimit, Ramë Likaj.

08:12

Kuvendi sot vazhdon seancën plenare

Kuvendi i Kosovës vazhdon edhe sot me seancë plenare.

Do të vazhdojë me raportimin e kryeministrit Hoti Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, ku pritet të votohet edhe një rezolutë, për të vazhduar me dy interpelanca të tjera të dy ministrave, atij të Arsimit, Ramë Likaj dhe të Punëve të Brendshme, Agim Veliut.

Ky është rendi i ditës.

3. Raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi,

4. Interpelanca e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, sipas kërkesës së nënkryetares së Kuvendit, Arberije Nagavci, e nënshkruar edhe nga 7 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor në kushte të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës,

5. Interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës,

6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”,

7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063, dhe me Ligjin 05/L-007,

8. Shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në lidhje me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe sporteve për vitin 2019,

9. Zgjedhja e dy (2) anëtarëve joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës,

10. Zgjedhja e gjashtë (6) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore,

11. Propozimi i GP të PDK-së për zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.