Pikënisje për rezistencë të popullit të Kosovës e ka vlerësuar kryetari i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Ilaz Ramajli, Kushtetutën e 1990-s.
Për KOHËN, Ramajli tha se ndonëse për shkak të rrethanave, Kushtetuta e Kaçanikut nuk ka pasur mundësi të që të zbatohet plotësisht në territorin e Kosovës, por ajo ka qenë njëra ndër aktet më të përparuara në regjion.
“Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e shpallur më 7 shtator 1990 u shndërruan me kohë në busullë të lëvizjes sonë paqësore politike dhe besoj se po këto akte kanë qenë edhe pikënisje e të gjitha sakrificave. Mbështetur në Kushtetutën e Kaçanikut u organizua komplet jeta në Kosovë jashtë sistemit të Serbisë dhe mundësoi që shqiptarët e Kosovës dhe popujt e tjerë joserbë të organizojnë rezistencën e tyre jo të dhunshme më vonë edhe luftën çlirimtare”, ka thënë Ramajli.
Mirëpo, si shpallja e pavarësisë, ashtu edhe miratimi i kësaj Kushtetute nuk ka qenë i lehtë. Ish-delegatja, Feride Hyseni, tregon se për shkak të presionit të Serbisë, shumica e delegatëve ishin detyruar të ikin nga Kosova.
"Rrethanat që është shpallur kjo Kushtetutë për Republikën e Kosovës kanë qenë shumë më të rënda, larg nga sot që jemi në liri. Megjithatë, vullneti i popullit, përkrahja e mjeteve të informimit të asaj kohe, përkrahja e familjeve dhe guximi i delegatëve arritëm që ta bënim këtë akt historik, i cili është i pazëvendësueshëm dhe është një akt që e ka trasuar rrugën e themelimit shtetit të Kosovës që e kemi sot", ka thënë Hyseni.
Për nder të 30 vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, Kuvendi i Kosovës të hënën do të organizojë një solemnitet me ish-delegatët e përbërjes së atëhershme të Kuvendit.
Kushtetuta e Kaçanikut u miratua më 7 shtator të 1990-s, nga delegatët shqiptarë të Kuvendit të atëhershëm të cilët kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti.