Oda e Afarizmit të Kosovës, thotë se është e shqetësuar me vështirësitë që ka sektori privat gjatë pandemisë.
Kësisoj, ka përcjellë kërkesat e operatorëve ekonomikë tek deputetët e Republikës së Kosovës nëpërmjet postës zyrtare në Kuvend. Thotë se në emër të gati 300,000 të punësuarve në sektorin privat e qindra bizneseve, kërkon që të trajtohen kërkesat dhe të miratohet sa më parë pakoja e re në mënyrë që të ofrohet përkrahje për punëtorët dhe bizneset për tejkalim të kësaj situate.
“Që nga muaji mars kur zyrtarisht janë paraqitur rastet e para me COVID-19, tani e 5 muaj ende nuk kemi të finalizuar pakon emergjente, kurse ajo e rimëkëmbjes ende nuk ka kaluar duke vendosur kështu në gjendje të vështirë sektorin privat nga mospërkrahja nga ana e shtetit. Duke marrë parasysh që sektori privat është gjeneratori kryesor i të hyrave edhe vendeve të punës në vendin tonë, ai aktualisht ndodhet në një pozitë shumë të rënduar edhe si pasojë e pandemisë”, thuhet në komunikatën e OAK-ut.
Tutje, theksohet se nuk kanë marrë kurrfarë mbështetje nga shteti.
Disa nga kërkesat e OAK-ut janë: TVSH-ja për ushqim, turizëm dhe hoteleri të ulet në 5%, ulja e normës së interesit në 1.7% nga Banka Qendrore e Kosovës, subvencionomi i pagave dhe qirave për bizneset e afektuara, për ruajtjen e likuiditetit të kompanive është e rëndësishme që të alokohen 300 milionë euro në Fondin e Garancisë Kreditore, vazhdimi i shtyrjes së kësteve të kredisë dhe tatimeve edhe për 3 muaj të tjerë, të subvencionohet eksporti për 10%, të shumës së eksportuar, të lirohen nga të gjitha tatimet dhe taksat për prodhuesit, përjashtuar TVSH-në, nga data 1 qershor deri më 31 dhjetor.
Gjithashtu OAK ka kërkuar që të ndryshohet Ligji për tatime të brendshme ku të gjitha bizneset prodhuese të lirohen nga TVSH në blerje të lëndës së parë ashtu siç janë të liruara në rast se importojnë nga vendet e huaja.