Arbëri

Rastet e “keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi” janë të ulëta, duhet pasur kujdes

Fadil Avdyli, shef i Sektorit të Hetimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës, në emisionin Raport në KTV ka thënë se rastet e “keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi” është i ulët, megjithatë thekson se duhet të tregohet kujdes në këtë aspekt.

Ai thotë se në kuadër të Policisë është Sektorit të Hetimeve Kibernetike janë katër njësi, e njëra prej tyre merret për keqpërdorimin e fëmijëve në pronografi përmes internetit dhe këto njësi janë të specializuara.

Ai ka treguar se çfarë dënime parashihen sipas Kodit Penal të Kosovës për këto raste.

“Janë ekspertë të SHBA-së, pastaj janë edhe nga Gjermania e vende të tjera që do të doja t’i falënderoja. Në kuadër të Kodit Penal ekziston vepra penale që është “keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”. Kushdo që prodhon pronografi me fëmijë dënohet deri në 5-15 vjet burgim. Kushdo që shet, ose vë në dispozicion dënohet me 3-10 vjet burgim. Kushdo që siguron për vetveten apo personin tjetër ose posedon pornografi me fëmijë dënohet me gjobë dhe me burgim prej 1-5 vjet. Edhe tentativa është e dënueshme sipas Kodit Penal”, ka thënë Avdyli.

Ai shton se në Kodin Penal më të hershëm dënimet kanë qenë më të vogla, kurse tani dënimet janë rritur.

“Sa i përket hetimeve të Policisë ato iniciohen nga denoncimi. Policia ka disa mënyra ku qytetarët mund të denoncojnë rastet e tyre, çoftë përmes denoncimit direkt në stacionin policor, pastaj është platformë në kuadër të faqes zyrtare. Pastaj ekziston një kujdes i veçantë i trajtimit për shkak të ndjeshmërisë, sepse kemi të bëjmë me fëmijë”, u shpreh ai.

Ai ka bërë të ditur se numri i rasteve në Kosovë është i ulët.

“Nëse krahasojmë, vendi ynë nuk është imun ndaj kësaj vepre. Por, fatmirësisht numri i tyre nuk është i lartë, por përkundër kësaj ne duhet të tregojmë kujdes. Për secilin vitin nuk e kalon dhjetëshin. Dhe shumica e rasteve kanë të bëjnë me shpërndarje, shkarkim ose posedim, e jo krijim të tyre, që është vepra më e rëndë. Të gjitha hetimet merren në bashkërendim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit. Ajo çfarë i përket Policisë është të dokumentojë sa më shumë prova dhe më pas Prokuroria vazhdon me aktakuza”, ka thënë ai.

Avdyli ka bërë të ditur se këtë vit ka pasur vetëm një kallëzim penal.

“Ka raste kur janë dënuar dhe ka raste ku u janë sekuestruar kompjuterët apo laptopët. Në këtë vit ka qenë një rast, dhe ai ka qenë me një moshë të re. Në YouTube ka pas montazhe dhe gjëra joadekuate. Ky është rasti kur është proceduar me kallëzim penal”, u shpreh ai.