Njëmbëdhjetë raste janë konfirmuar sot me koronavirus në Kosovë. Këtë e ka bërë të ditur IKSHPK-ja përmes një njoftimi.
Siç njoftohet, sot, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 196 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
“Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Vushtrrisë 5 raste (sipas vendbanimit: 5 raste Studime e epërme), komuna e Prizrenit 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Prizren), komuna e Prishtinës 2 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Prishtinë) dhe 1 rast me vendbanim në Ferizaj”, thuhet në njoftim.
IKSHPK-ja ka njoftuar se sot janë shëruar edhe 2 pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është rritur në 657 gjithsej.
“Nga data 08 shkurt deri më 11 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 10.130 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 895 raste, me gjithsej 28 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet tutje në njoftim.
IKSHPK-ja edhe sot ka bërë thirrje për kujdes dhe për respektim të masave për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.