Arbëri

Tahiri: Rasti Dehari dhe ai i 26-vjeçarit janë krejtësisht të kundërta

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri i ka quajtur të paqëndrueshme në Interaktiv të KTV-së paralelet mes rastit të Astrit Deharit dhe atij të vdekjes së 26-vjeçarit, që po mbahej në karantinë në Qendrën e Studentëve.

Ai ka thënë se këto janë dy “raste të kundërta”.

“Dallimi në rastin Dehari, është se ai nuk kishte qenë në burg me vendim të ministres Hoxha, por me kërkesën e një prokurori si rezultat i një aktakuze ndaj tij e vendimin për këtë e merr gjykata, përderisa vendimi për lirim nga karantina për probleme shëndetësore bëhet nga ministri, në këtë rast të ministrit Vitia”, ka thënë Tahiri.

Në Interaktiv ai ka folur për konferencat e rregullta për shtyp të PDK-së.

“Kemi qenë jashtëzakonisht aktivë pasi që kemi parë parregullsi të mëdha në menaxhimin e pandemisë”, ka thënë ai, teksa këto “parregullsi” thotë se partia e tij i ka ndarë në dy segmente.

Tahiri megjithatë ka përgëzuar punë e profesionistëve shëndetësorë.

Për politikën ka thënë se ka pasur “lëshime jashtëzakonisht të mëdha”, gjë që sipas tij janë pasqyruar sipas testeve dhe karantina.

“Dështimet që i kemi parë dhe paralajmëruar, kanë treguar se gjithçka do të çojë drejt një kaosi”, ka thënë Tahiri, duke thënë se nga partia e tij vazhdimisht është insistuar që të tregohet numri i saktë i qytetarëve që kanë qëndruar në karantinë.

“Kemi parë abuzime të qytetarëve, që kanë dalur nga karantina dhe këto lëshime nga karantina janë bërë vetëm nga ministri. Në anën tjetër, në konferencat tona e kemi ngritur në mënyrë të vazhdueshme numrin e vogël të testimeve”, ka thënë ai.