Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar me aksionet në Kuvendin e Kosovës. Deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku ia ka vendosur prapa shpinës afër ulëses së kryeparlametares Vjosa Osmanit fotografinë e presidentit Hashim Thaçi.
Kjo është bërë në shenjë pakënaqësie pasi që Kryetarja e Kuvendit e ka zhvendosur brenda zyrës së saj fotografinë e presidentit Thaçi. Por Osmani nuk ka reaguar fare pas vendosjes së fotografisë, raporton KTV.
E, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se Osmani e ka nisur keq punën e saj. Ai ka përmendur thirrjen e Kryesisë së Kuvendit pak minuta para se ajo të mbahej.
“Ke filluar me veprime jo të duhura, nesër ju apo dikush tjetër mundet me qenë në një institucion të lartë të shtetit, prandaj shembullin që e ke marr është precedent i keq. Ne nuk jemi që ju të inspiroheni për çka do që ju inspiron, por jeni e detyruar që sipas ligjit ta mbani fotografin sipas ligjit”, ka thënë Hamza.
Në mbrojtje Osmanit i ka dalë shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi duke thënë se seancën nuk e ka thirrur Osmani por grupet parlamentare të LDK-së e PDK-së.