Ministri italian i Punëve të Jashtme, Luigi di Maio, ka thënë se vendi i tij mbështet vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një takim me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, ministri italian shtoi se ka nevojë për mbështetje dhe ndërmjetësim më të madh të Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje mes dy vendeve, raporton Koha.net.
Ndërkaq, kryeministrja serbe ka falënderuar Italinë edhe për kontributin në KFOR, që, siç tha ajo, “ka rëndësi të madhe për sigurinë e serbëve dhe të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë e Metohi, por edhe për ruajtje të objekteve tona fetare”.
Ministri italian është takuar edhe me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, i cili ka thënë, ndër të tjerash, se procesi i ngadalshëm i integrimit të Serbisë në BE është pasojë e “problemeve të funksionimit të Bashkimit Evropian”.
Pas takimit, duke vënë në dukje se përparimi i Serbisë në integrimet evropiane është i kushtëzuar nga përparimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Daçiqi tha se “nëse integrimet vazhdojnë me shpejtësinë e tanishme, do të duhen disa dekada që Beogradi të përfundojë procesin”.
Kurse shefi i diplomacisë italiane, Luigi di Maio, tha se vendi i tij është shumë i interesuar që BE-ja të zgjerohet në Ballkanin Perëndimor.
“Në kohën e Brexit-it, është mirë që BE-ja po i zgjeron horizontet në Serbi, Mal të Zi, Shqipëri, Maqedoni Veriore, dhe kjo është e një rëndësie të veçantë për Mesdheun”, tha Maio pas takimit me Daçiqin.