Më shumë se gjysma e qytetarëve mohojnë se në sistemin e drejtësisë ka përmirësime. Kjo është njëra nga gjetjet e raportit “Indeksi i performancës së institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë”, që është publikuar të hënën nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
“Ajo që vlen të theksohet është se përkundër agjendës "Drejtësia 2020" dhe procesit të Rishikimit Funksional, që të dyja të nisura nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim kryesor Sigurimin e mbarëvajtjes dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi, nga të dhënave të analizës del se më shumë se gjysma e qytetarëve mohojnë të kenë vërejtur përmirësim në sistemin e drejtësisë.
Më pak se 30% besojnë se kanë vërejtur efekte pozitive në këtë aspekt”, ka thënë Rreze Hoxha, gjatë prezantimit të këtij raporti.
Ndërkohë Aurora Mullatahiri nga GSJP-ja, ka thënë se analiza ka treguar që 65.2 % e qytetarëve besojnë se politikanët kanë më pak gjasa te ndëshkohen nga ligji.