Studentë të Fakultetit të Arteve, Fakultetit Filozofik dhe e të disa drejtimeve të Fakultetit të Mjekësisë kanë protestuar gjatë ditës së sotme para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës kundër vendimit të kësaj ministrie për ndarjen e bursave.
Ata e kanë cilësuar këtë vendim si diskriminues, pasi siç thonë, Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, ka marrë vendim që bursa të ketë vetëm për disa fakultete të caktuara.
Në ndërkohë, MASHT-i ka dërguar një komunikatë për media në lidhje me shqetësimet e këtyre studentëve.
Në komunikatë, përveç që Ministria thotë se Fakulteti i Edukimit dhe ai i Arteve nuk konsiderohen më si deficitare, organizatat studentore që po protestojnë i ka quajtur “manipuluese”, raporton Koha.net.
“Me këtë rast, Ministria e Arsimit kërkon nga organizatat të cilat përfaqësojnë studentët, që të mos manipulojnë studentët në lidhje me këtë çështje”, ka thënë MASHT-i në këtë komunikatë.
MASHT-i ndërkaq ka thënë se ka planifikuar që edhe këtë vit bursat që do t'iu ndahen studentëve të kenë shumën e njëjtë siç janë ndarë edhe vitin e kaluar (880 euro).
Ministria thotë se mbështetja e studentëve me bursa ka për qëllim përkrahjen e kuadrove deficitare, prandaj thotë se janë zgjedhur për mbështetje financiare vetëm fakultetet të cilat përgatisin kuadro deficitare.
“Fakulteti i Edukimit dhe ai i Arteve nuk konsiderohen më si deficitare, prandaj studentët e këtyre fakulteteve nuk do të mbështeten financiarisht nga MASHT”, thotë ministria, raporton Koha.net.
Këtë vit, MASHT-i thotë të ketë ulur kriterin e notës mesatare për studentët e Fakultetit Teknik, sepse “përveç që ky fakultet përgatit kuadro që në tregun e punës ka mungesë të theksuar, disa drejtime rrezikojnë të mbyllen për mungesë interesimi për të studiuar në to”.