Arbëri

Pozitë e opozitë: Nesër votojmë pro shpërndarjes së Kuvendit

Foto: Driton Paçarada / Koha

Të enjten Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën plenare ku pritet të votohet për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë.

PDK dhe AAK si dy partitë më të mëdha të koalicionit qeverisës, një ditë para seancës, kanë thënë se janë të gatshëm të votojnë për shpërndarje dhe që të hapet rruga për zgjedhjet e reja.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se si parti janë të dakorduar që nesër të votojnë për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

“Natyrisht jemi dakorduar i kemi dhënë nënshkrimet, nuk ka dilema aty, thirrja e seancës së 22 gushtit për këtë arsye është thirrur. Të gjitha partitë politike jemi dakorduar për këtë datë, fillimisht do votohet pika për fondet IPA, pastaj vjen pika për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës”, tha ajo për KP.

Të njëjtën e ka thënë edhe Ahmet Isufi, shef i deputetëve të AAK-së.

“Po, grupi parlamentar i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës do të votojë për shpërndarjen e parlamentit të Kosovës”, tha Isufi.

Edhe nga Vetëvendosje kanë thënë se nesër do të japin votën pro shpërndarjes së Kuvendit.

“Po Lëvizja Vetëvendosje nesër do të votoj për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës e kemi deklaruar këtë edhe më herët”, ka thënë Ismajl Kurteshi nga kjo parti.

Gjatë ditës së sotme deputeti Ilir Deda është takuar me deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ku ka publikuar një fotografi të përbashkët në të cilën shkruan “Gati për shpërbërjen e Kuvendit”.

Data e seancës për të votuar për shpërndarjen e Kuvendit ka ardhur pas dorëheqëses së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të vendit.

Dita e nesërme 22 gusht u caktua si datë në Kryesi të Kuvendit të Kosovës për shpërndarjen e Parlamentit, derisa tashmë janë dorëzuar nënshkrimet nga partitë e mëdha.

Seanca e nesërme pritet të fillojë në orën 10:00 ku si pikë e parë e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ndërsa pika tjetër është votimi për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.