Arbëri

Mustafa takoi ndaras Ahmetin e Limajn, Haradinaj refuzon ftesën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, të hënën e ka nisur me takime me liderë të partive opozitare.

Pas takimit me Albin Kurtin e Vetëvendosjes javën që shkoi, ai tani është takuar me kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmetin dhe me atë të Nismës, Fatmir Limaj, raporton KTV.

Ahmeti pas takimit ka bërë të ditur se me kreun e LDK-së kanë përafruar qëndrimet, ndonëse tha se Mustafa synon që në zgjedhje të shkojnë të vetëm.

Në anën tjetër, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka lënë të hapur mundësinë e koalicionit me LDK-në.

Por më shumë se për takimin me Mustafën, Limaj zgjodhi të kritikojë qeverinë në dorëheqje, pjesë e së cilës është edhe ai vetë.

I pari i LDK-së, Isa Mustafa, në takim ka ftuar edhe kryetarin e AAK-së, njëherësh kryeministër në dorëheqje, Ramush Haradinaj.

Por, kësaj ftese nuk i është përgjigjur Haradinaj, me arsyetimin se ka obligime të tjera.

Këto takime janë duke u mbajtur pak ditë para seancës së të enjtes, gjatë së cilës, pritet që deputetët të votojnë pro shpërndarjes së Kuvendit.