Arbëri

Lekaj – Hoxhajt për taksën ndaj Serbisë: Ishte këmbëngulësia e Haradinajt, për të tjerët ishte harruar

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj do të mbahet mend për vendime të rëndësishme për vendin, thotë Pal Lekaj, ministër në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) e nënkryetar i AAK-së.

Lekaj, duke iu përgjigjur zëvendëskryeministrit në detyrë, që vjen nga radhët e Partisë Demokratike Enver Hoxhaj, shtoi se Haradinaj ka kryer punë me nder dhe përgjegjësi.

Përderisa Hoxhaj në një intervistë për EO, kishte thënë se kjo Qeveri nuk ka kryer misionin. Lekaj përmend vendimet e rëndësishme që ka marrë Qeveria Haradinaj, duke shtuar se edhe Hoxhaj ka qenë pjesë e saj.

“Sa i përket zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës, mendoj që ai ka qenë pjesë e vendimmarrjes dhe unë mendoj që kjo Qeveri do të mbahet mend për vendimet të rëndësishme për vendin duke krijuar ushtrinë, duke forcuar shtetin dhe duke treguar Serbisë që ne kemi zot shtëpie dhe ne vendosim vet për veten tonë”, ka thënë Lekaj.

Edhe për taksën prej 100% ndaj produkteve, Hoxhaj kishte thënë se bajraktar është ai dhe partia që përfaqëson, por sërish Lekaj insiston ky është vendim i Qeverisë.

Madje sipas tij, vetëm këmbëngulësia e Haradinaj ka bërë që taksa të mbetet në fuqi, ngase për të tjerët ajo kaherë do të kishte marrë fund.

“Sa i përket taksës unë mendoj se është vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe dihet këmbëngulësia e zotëri Haradinajt sepse për të tjerët kaherë kishte marrë fund taksa”.

Edhe përkundër gjithë këtyre mospajtimeve, Lekaj thotë se nuk kanë vija të kuqe për asnjë parti.

Ai shprehet i bindur se Aleanca do të dalë fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Aleanca hyn e vetme në zgjedhje dhe sa i përket koalicioneve të mëdha. Ne jemi të vendosur që t’i fitojmë zgjedhjet sepse kemi mbështetjen e qytetarëve dhe mendoj që do të jetë befasi e mirë për Kosovën sepse Aleanca do të fitojë bindshëm dhe sa i përket koalicioneve ne nuk kemi vija të kuqe, por parazgjedhor mendoj që ne po komunikojmë me parti më të vogla, por jo me parti të mëdha”, ka thënë Lekaj.

“Unë mendoj se në politikë nuk ka vija të kuqe, por ne do të punojmë për të mirën e qytetarëve”.